Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve
Bordi i Transparencës ka vendosur një tjetër ulje të çmimeve të karburanteve në vend, duke reflektuar ndryshimet e fundit në treg. Vendimi ka hyrë në fuqi sot, më 23 maj 2026, në orën 13:20.
Sipas përcaktimit të ri, çmimi i naftës është ulur nga 197 lekë në 195 lekë për litër, duke shënuar një rënie prej 2 lekësh. Ndërkohë, benzina ka pësuar një ulje edhe më të ndjeshme, duke zbritur nga 186 lekë në 182 lekë për litër, pra 4 lekë më pak.
Në njoftimin zyrtar, Bordi i Transparencës bëri të ditur se çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 195 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë është vendosur kufiri prej 183 lekësh për litër.
Për benzinën, çmimi maksimal në pakicë është përcaktuar në 182 lekë për litër, ndërsa në shumicë nuk duhet të tejkalojë 170 lekë për litër.
Autoritetet kanë theksuar se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku pritet të bëhet një rivlerësim në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare.
Gjithashtu, është bërë thirrje për të gjithë operatorët e tregtimit të karburanteve që të zbatojnë me përpikëri vendimin, duke paralajmëruar masa të rrepta në rast shkeljesh, deri në pezullim të aktivitetit.
Në sqarimin shoqërues, theksohet se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, çka nënkupton se niveli i akcizës do të vijojë të zbatohet i plotë, në masën 100%.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë ritheksuar angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



