Rama harron gropën septike të AKSHI-t dhe na prezanton ADS e patronazhistëve
Me komoditetin që i fal një memorie publike që digjet shpejt dhe një opozitë e plakur, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot “revolucionin” e radhës: krijimin e Albanian Digital Solutions (ADS). Një kompani 100% shtetërore që, sipas tij, do të na shpëtojë nga “pengmarrja e privatit” dhe do të kursejë miliona euro.
Por pas fasadës me terma si inovacion, pagat më të larta në treg dhe autonomi teknologjike, fshihet një amnezi e qëllimshme politike dhe një përpjekje e trashë për të fshehur nën qilim dështimin spektakolar të AKSHI-t që për vite të tëra ishte bahçja e Gysit, Mirlindës, baxhanakut dhe Gerondit.
Rama i lau duart nga skandali ku u vodhën qindra milionë euro të AKSHI-t.
Pa u mbyllur akoma hetimet e skandaleve të njëpasnjëshme të korrupsionit dhe tenderave abuzivë që tronditën Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si gjithmonë strategjia e qeverisë nuk është llogaridhënia, por amballazhimi i ri. Në vend të reformimit radikal, ndjekjes penale deri në fund të përgjegjësve dhe auditimit të miliona eurove të avulluara në emër të “sigurisë kibernetike”, qeveria thjesht hap një dyqan të ri paralel.
ADS po lind jo si nevojë teknologjike, askush nuk beson më se zgjidhja ndaj dështimit të një strukture shtetërore qenka krijimi i një strukture tjetër shtetërore.
Deklarata e Ramës se “sistemet s’do jenë më peng i privatit” është kulmi i hipokrizisë. Kush i ushqeu kompanitë private të Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Daniel Shimës, Baxhanakut të Ramës, Gerond Meçes etj, me qindra milionë euro përmes tenderave shpesh me ofertues të vetëm dhe kritere të qepura me porosi?
Ishte vetë kjo qeveri që privatizoi de facto çdo kod burimor dhe mirëmbajtje të e-Albania-s dhe sistemeve sekrete të Policisë e Gjendjes Civile.
Sot, pasi i majmi këto kompani, kryeministri na shitet si çlirimtar nga “monopolet” që i krijoi me dorën e tij.
Premtimi për “pagat më të larta në treg” për talentet e ADS-së ngre një tjetër pikëpyetje të madhe:
Me çfarë parash do të paguhen këta ekspertë elitë, kur buxheti sapo u ngarkua me 140 milionë dollarë hua për projektin tjetër të mbikëqyrjes “Smart City”?
Kush garanton që ADS nuk do të kthehet në një tjetër guvë nepotizmi, ku në vend të programuesve të rreshtohen patronazhistët militantë digjitalë me paga marramendëse, të mbrojtur nga statusi i kompanisë aksionere?
Rama nuk e fsheh dot bilancin e hidhur edhe pse krenohet me 1200 shërbimet e e-Albania-s dhe sukseset e pandemisë, qytetarët nuk mund të harrojnë se ky “revolucion” u ka kushtuar:
Rrjedhjen e të dhënave sensitive (pagat, targat, patronazhistët, numrat e telefonit).
Sulmet kibernetike që nxorën zbuluar sistemet e Policisë dhe TIMS, duke dëshmuar se muret digjitale të shtetit ishin prej letre, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara për sigurinë.
Në gjuhën e programimit, kur një sistem ka korrupsion në kodin bazë, nuk mund ta zgjidhësh problemin duke i vendosur një emër të ri aplikacionit. ADS duket si një manovër politike për të zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia e AKSHI-t dhe për të krijuar një tjetër monopol të ri, këtë herë nën petkun e një “korporate shtetërore”.
Përpara se të premtojë kursime pas 3 vitesh, qeveria ka detyrimin të tregojë: ku shkuan paratë e sistemit që sapo dështoi?
Sepse pa këtë përgjigje, ADS rrezikon të jetë thjesht gropa e radhës ku do të groposen taksat e qytetarëve shqiptarë dhe parajsë për llumin e patronazhistëve.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



