SPAK zgjeron hetimet për pronat në Zvërnec
Pyeten biznesmenë e avokatë, sekuestrohen telefonat celularë
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zgjeruar rrethin e hetimeve lidhur me mënyrën e përfitimit të pronave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Hetimet po fokusohen te transaksionet financiare dhe ligjshmëria e tjetërsimit të tokave në kuadër të projektit miliardë dollarësh për ndërtimin e një resorti turistik luksoz në bregdet.
Burime pranë institucioneve të drejtësisë bëjnë me dije se gjatë ditëve të fundit janë thirrur për t’u pyetur disa biznesmenë, përfaqësues ligjorë dhe persona të tjerë të përfshirë në këto transaksione. Në kuadër të verifikimeve të komunikimeve elektronike, hetuesit kanë sekuestruar edhe telefonat celularë të disa prej personave të shoqëruar.
Emrat e parë që u thirrën në SPAK
Sipas të njëjtave burime, mes personave të marrë në pyetje janë:
Pëllumb Petritaj (ish-avokat i dënuar më parë) dhe vajza e tij, Feriare Ndreu (Petritaj), e njohur për përfaqësimin ligjor në çështje që lidhen me biznesmenin Artur Shehu.
Enkes Hysendhima, avokati personal i Artur Shehut, të cilit mësohet se i është sekuestruar edhe telefoni celular. (Më herët, Hysendhima ka qenë objekt verifikimi nga drejtësia, por u shpall i pafajshëm).
Biznesmenët e kontaktuar: Hetuesit kanë marrë kontakt edhe me biznesmenët Agron Malaj (vëllai i ish-gjyqtarit Alaudin Malaj), Ferdinant Sulaj, Redi Struga dhe Bujar Nasufi. Ata dyshohet se kanë pasur role specifike në procedurat apo transaksionet e tokave në këtë zonë.
Deri më tani, SPAK nuk ka dalë me një konfirmim zyrtar për këto lëvizje dhe as për masën e sekuestrimit të telefonave, duke ruajtur sekretin hetimor.
Projekti i Jared Kushner dhe miliarderëve nga Katari
Këto verifikime vijnë pasi vetë SPAK konfirmoi nisjen e hetimeve mbi pronat në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Në këtë hapësirë po zhvillohet projekti i madh turistik i promovuar si një investim ku përfshihen miliarderët nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, si dhe Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Objektivi kryesor i prokurorëve të posaçëm mbetet kontrolli i titujve të pronësisë dhe zbardhja e fluksit financiar. Në lupë është veçanërisht transferta prej 195 milionë dollarësh nga kompania “Albania Land Development” (e kontrolluar nga investitorët kataras). Këto fonde fillimisht u bllokuan, më pas u kaluan te përfituesit shqiptarë që shitën tokat, por burimet thonë se SPAK ka vendosur së fundmi masa të reja bllokuese mbi një pjesë të parave deri në sqarimin e plotë të origjinës së pronës.
Tensionet në terren
Përveç anës ligjore, projekti po përballet edhe me rezistencë në terren. Banorë të zonës dhe aktivistë të mjedisit kanë zhvilluar protesta të shumta kundër rrethimit të zonës së mbrojtur dhe nisjes së punimeve në Pishë Poro-Nartë.
Aktualisht, çështja ndodhet në fazën e verifikimeve paraprake dhe SPAK saktëson se deri më tani nuk ka asnjë person të regjistruar si të pandehur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



