“Jam me Ramën, është bosi”, Cllevio nga GJKKO flet për protestën
Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun me emrin artistik “Cllevio”, është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të japë dëshminë e tij në kuadër të procesit gjyqësor ndaj grupit të Laert Haxhiut.
Sipas informacioneve të bëra publike më herët, Cllevio është thirrur për t’u pyetur lidhur me hetimet që kanë të bëjnë me vendosjen e lëndës plasëse në biznesin e reperit Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 8 qershor 2022, kur një shpërthim me eksploziv shkaktoi dëme të konsiderueshme në pjesën ballore të butikut të njohur “Illyrian” në qytetin e Durrësit.
Para hyrjes në sallën e gjyqit, reperi u pa i shoqëruar nga avokati i tij. Ndërkohë, pas përfundimit të seancës dhe daljes nga ambientet e GJKKO-së, ai u pyet nga gazetarët edhe për protestën që po zhvillohet në Tiranë.
I pyetur për qëndrimin e tij, Cllevio u përgjigj shkurt:
“Jam me Ramën, se ai është bossi”, u shpreh reperi.
Çështja e shpërthimit me eksploziv ndaj biznesit të Noizyt ka tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe mediatike, jo vetëm për shkak të natyrës së ngjarjes, por edhe për shkak të përplasjeve të forta që kanë ekzistuar në rrjetet sociale mes Kleviol Ahmetit dhe Rigels Rajkut gjatë asaj periudhe.
Dëshmia e Cllevios konsiderohet me interes për hetuesit, teksa procesi ndaj grupit të Laert Haxhiut vijon në GJKKO.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



