“Mjaft” si deja vu! A po përdoret Luizi nga Veliaj për të goditur Ramën?
Prej më shumë se 15 ditësh, Shqipëria ndodhet në një valë protestash që kanë përfshirë Tiranën, qytetet kryesore dhe deri në diasporë. Në sipërfaqe, gjithçka duket si një shpërthim i pastër qytetar — njerëz të revoltuar, të lodhur nga një tranzicion i pafund dhe nga një klasë politike që perceptohet si e pandryshueshme prej dekadash.
Shkëndija ishte e fortë: dhuna ndaj një banori në Zvërnec, një episod që ndezi reagimin zinxhir dhe nxori në rrugë mijëra qytetarë. Por ndërsa protestat rriten, po shtohen edhe pikëpyetjet.
Sepse kjo nuk duket më vetëm si një revoltë spontane.
Në terren, përveç qytetarëve të zakonshëm, shfaqen edhe figura që deri dje ishin të lidhura ngushtë me pushtetin. Një “rrjet” i tërë, nga punonjës bashkie te personazhe të njohur të ekranit dhe rrjeteve sociale — ka hyrë papritur në linjë të parë kundër qeverisë.
Mes tyre spikasin emra si Marsela Çibukaj, Ardit Gjebrea, Olta Gixhari, Arjola Demiri, Isli Islami, Venera Lumani dhe Lindi Islami, Ardit Çuni, Mira Kazhani, Albana Osmani, Albina Nanaj, Evi Reçi, Eranda Libohova, Blerina Bajko, një listë që për shumëkënd nuk mund të jetë rastësi.
Kjo tablo ka ngritur dyshime se brenda protestës ekzistojnë “celula” të mirëorganizuara, që shkojnë përtej revoltës qytetare dhe prekin interesat e drejtpërdrejta politike.
Dhe në këtë skenë hyn një emër që ka bërë zig-zag të fortë publik: Luiz Ejlli.
Nga momentet kur shfaqej hapur në simpati me Sali Berishën gjatë “Big Brother”, te afrimi me figura të pushtetit lokal dhe më pas ekspozimi në formatet mediatike pranë kryeministrit Edi Rama, rruga e tij ka qenë gjithçka përveç lineare.
Madje, pas celebrimit të tij me Kiara Titon nga Erion Veliaj, perceptimi publik për pozicionimin e tij ndryshoi ndjeshëm. Më pas, afrimi me emra si Benet Beci dhe dalja në podcast-in e Ramës e konsoliduan këtë ide.
Por sot, tabloja duket e përmbysur.
Luiz Ejlli është shfaqur në krah të protestës, madje duke publikuar këngën “Mjaft”, një titull që tingëllon më shumë si slogan sesa si thjesht krijim artistik. Një mesazh që për shumëkënd ngjan si jehonë e lëvizjeve të mëparshme politike të organizuara nga figura brenda sistemit.
Kjo sjell një dilemë të fortë: a kemi të bëjmë me një reagim të sinqertë, apo me një skenar ku figura publike përdoren për të kanalizuar zemërimin qytetar?
A janë këta zëra të rinj të protestës, apo instrumente në një përplasje më të madhe mes vetë pushtetit?
Dhe mbi të gjitha: a po përdoret protesta për të rrëzuar një figurë, ndërsa përgatitet terreni për një tjetër?
Në një realitet ku politika, media dhe showbiz-i ndërthuren gjithnjë e më shumë, kufiri mes spontanitetit dhe manipulimit bëhet i paqartë.
Ndaj pyetja mbetet e hapur: është kjo një lëvizje “Mjaft” e qytetarëve, apo një kapitull i ri në luftën e brendshme për pushtet?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



