E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Safet Bajri kallëzon penalisht deputeten Marjana Koçeku
Lajme

Safet Bajri kallëzon penalisht deputeten Marjana Koçeku

Safet Bajri ka depozituar një kallëzim penal ndaj deputetes Marjana Koçeku, duke e akuzuar për shpifje dhe kanosje pas deklaratave publike të saj në rrjete sociale.

Sipas kallëzimit, Bajri pretendon se deputetja ka bërë akuza të pavërteta duke identifikuar publikisht familjen e tij si burim kërcënimi dhe dhune, çka sipas tij ka dëmtuar rëndë reputacionin dhe dinjitetin e familjes. Ai thekson se deklaratat e bëra nga një figurë publike kanë pasur ndikim të gjerë në opinionin publik dhe kanë krijuar presion ndaj familjarëve të tij.

Në dokument përmendet edhe një deklaratë e fortë e deputetes, ku ajo shprehet se “nëse familjes së saj i preket qoftë edhe një fije floku”, do të reagojë ashpër ndaj personave që ajo i konsideron përgjegjës. Sipas kallëzuesit, kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe krijon një gjendje frikësimi.

Më tej, në kallëzim argumentohet se deklaratat e deputetes mund të ndikojnë edhe në orientimin e hetimeve për ngjarje të mundshme në të ardhmen, duke e vendosur paraprakisht familjen Bajri në rolin e “fajtorit të gatshëm”.

Në aspektin ligjor, kallëzimi thekson se deklaratat nuk janë bërë në kuadër të funksionit parlamentar, por në rrjete sociale, dhe për këtë arsye nuk mbrohen nga imuniteti. Si precedent përmendet edhe një rast i mëparshëm gjyqësor në Shqipëri, ku publikimi i akuzave të rreme është ndëshkuar penalisht.

Safet Bajri i kërkon Prokurorisë të regjistrojë kallëzimin, të nisë hetimet dhe të verifikojë përgjegjësinë penale të deputetes, si dhe të administrojë provat përkatëse, përfshirë postimet në rrjete sociale dhe publikimet mediatike.

Hetimet për këtë çështje pritet të vijojnë në ditët në vijim.

KALLËZIMI:

Në këto rrethana, deklarimi publik paraqitet si atribuim i një fakti të pavërtetë.
Cenimi i reputacionit:
Deklarata është bërë nga një deputete e Kuvendit dhe është shpërndarë gjerësisht në media kombëtare.
Për shkak të pozicionit publik të autores:
 deklarata ka pasur ndikim të gjerë;
 ka ekspozuar familjen Bajri para opinionit publik si burim kërcënimi dhe dhune;
 ka cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin e anëtarëve të familjes.

Elementi subjektiv:
Autorja ka vepruar me dashje, pasi:
 ka identifikuar publikisht një familje të caktuar;
 ka zgjedhur të bëjë deklaratën në rrjete sociale;
 ka qenë e vetëdijshme për rezonancën publike që do të kishte deklarata e saj.

Prandaj mund të argumentohet se janë përmbushur elementet e veprës së shpifjes, paragrafi 2.

  1. “Kanosja” (neni 84 i Kodit Penal) — vetë deklarata e deputetes përmban një kërcënim publik për ta “shkatërruar” familjen.

Elementi objektiv:
Në të njëjtën deklaratë deputetja shprehet:
“Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën.”

Ky nuk është thjesht një reagim emocional apo figurë retorike.

Deklarata:
 i drejtohet një subjekti konkret dhe të identifikueshëm (“Bajrajve të Shkodrës”);
 përmban premtimin e një veprimi të ardhshëm ndëshkues;
 përdor termin “ju shkatërrue”, i cili në gjuhën e zakonshme nënkupton shkaktimin e dëmit shumë serioz ndaj personit, familjes ose interesave të tij.

Krijimi i gjendjes së frikësimit:
Një familje e identifikuar në një deklaratë të tillë:
 është vendosur nën presion publik;
 është ekspozuar ndaj reagimeve të tretëve;
 është vënë përballë një paralajmërimi serioz për hakmarrje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se deklarata nuk është bërë nga një person privat, por nga një figurë publike me autoritet institucional.

Intensiteti i kërcënimit:
 nuk është përdorur një shprehje e përgjithshme pakënaqësie;
 nuk është thënë “do të ndjek rrugën ligjore”;
 nuk është thënë “do të mbroj familjen time”;
por është përdorur shprehja:
“nuk kam me lanë pa ju shkatërrue sa ta kem jetën”,

e cila mund të interpretohet si paralajmërim për shkaktimin e një të keqeje serioze dhe të vazhdueshme.

Cilësimi përfundimtar i mbetet organit procedues.

Rrezikshmëria e veçantë e kësaj akuze publike: duke e shpallur publikisht familjen Bajri si burimin e kërcënimit ndaj familjes së saj, e paditura ka krijuar një paragjykim publik që ia paracakton kësaj familjeje rolin e autorit për çdo dëm të mundshëm që mund t’i vijë familjes së deputetes në të ardhmen.

Kjo, së pari, orienton paraprakisht organet e ndjekjes penale që, për çdo ngjarje të mundshme ndaj familjes së deputetes, dyshimi të bjerë automatikisht mbi familjen Bajri, pavarësisht autorit real.

Së dyti, dhe më e rëndë, krijon një “fajtor të gatshëm” që mund të shfrytëzohet nga persona të cilët realisht janë në konflikt me fisin Bajri.

III. MBI IMUNITETIN DHE PRECEDENTIN GJYQËSOR
Imuniteti i nenit 73 të Kushtetutës mbron mendimet e shprehura në ushtrim të funksionit parlamentar. Deklarata është bërë në rrjete sociale, jashtë ushtrimit të funksionit, ndaj nuk përfshihet në mbrojtjen e imunitetit.

IV. PROVAT DHE RRETHANAT MBËSHTETËSE
I. Pamja e postimit në rrjete sociale;
II. Publikimet e medias;
III. Vendimet e masave të sigurimit;
IV. Deklaratat publike kundërshtuese.

V. KËRKESA
Kërkohet regjistrimi i kallëzimit, fillimi i procedimit penal dhe verifikimi i plotë i rastit.

Kallëzuesit:
BEHAR BRAJOVIQ
SAFET RUSTEMI

Mbrojtës:
Av. Sokol Tahiraj

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.