Arta Dade godet Ramën: Përvishju gjermanishtes se do të të duhet!
Ish-ministrja e Jashtme dhe një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste, Arta Dade, ka reaguar me tone kritike ndaj kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të tij ironizuese për protestuesit.
Reagimi i saj vjen pasi Rama i quajti protestuesit “tam-tamexhinj”, duke ironizuar tubimet e tyre në bulevard dhe duke përdorur një gjuhë që ka ngjallur debat publik.
E pyetur për këtë qëndrim, Dade nuk i kurseu kritikat, duke u ndalur veçanërisht te mënyra e komunikimit të kryeministrit.
“Si njohëse e linguistikës mund të them që ai shqipen e ka manipulative, anglishten e kupton por nuk e flet dot, ndërsa gjermanishten nuk e njeh fare. Do t’i sugjeroja të merret me gjermanishten, sepse do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës dhe më shumë se anglishtja e korridoreve diplomatike”, u shpreh ajo.
Deklarata e ish-ministres për voxnews, mbart një nëntekst të fortë politik, duke ngritur pikëpyetje mbi raportet e kryeministrit me partnerët ndërkombëtarë, por edhe mbi zhvillime të mundshme në të ardhmen.
Fraza e saj “do t’i duhet më shumë se shqipja e protestës” është interpretuar si një sinjal i koduar, që mund të lidhet me presione apo dinamika të reja në arenën politike dhe diplomatike.
Arta Dade, edhe pse e tërhequr nga politika aktive, vijon të mbetet një nga zërat më të respektuar brenda së majtës shqiptare. Për vite me radhë ajo ka mbajtur poste të rëndësishme, si ministre e Jashtme dhe deputete me disa mandate.
Pak ditë më parë, ajo refuzoi të marrë pjesë në aktivitetet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, duke shprehur hapur rezervat e saj për mënyrën se si po drejtohet forca politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



