Rrezikuan pushuesit, bllokohen dy Jet Ski në Sarandë dhe Ksamil
Kontrollet e intensifikuara në vijën bregdetare të jugut kanë zbuluar shkelje serioze të rregullave të sigurisë detare në Sarandë dhe Ksamil. Dy mjete lundruese tip Jet Ski janë konstatuar duke hyrë në zona të ndaluara për lundrim, shumë pranë hapësirave ku pushuesit frekuentojnë për not dhe relaks, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.
Rasti i parë u evidentua në gjirin e Sarandës, ku një Jet Ski kishte depërtuar brenda perimetrit të sigurisë, në një zonë të mbushur me pushues. Një situatë e ngjashme u konstatua edhe në Ksamil, ku një tjetër mjet lundrues kishte shkelur rregullat duke hyrë në hapësirën e ndaluar pranë bregut.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare, të dy mjetet u ndaluan dhe u transportuan në Portin e Sarandës. Autoritetet ndërmorën masa administrative ndaj drejtuesve të tyre, shtetasve me iniciale R. A. dhe R. P., të cilët u gjobitën me nga 500 mijë lekë të rinj secili.
Sipas Policisë Kufitare, kontrollet dhe patrullimet do të vijojnë me intensitet të lartë përgjatë gjithë sezonit turistik, me fokus garantimin e sigurisë në zonat detare dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe operatorëve turistikë që të zbatojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë, duke shmangur hyrjen në zonat e dedikuara për pushuesit, në mënyrë që të parandalojnë incidente dhe rreziqe të mundshme në det.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



