E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Damiano Toshi i shpëton burgimit të përjetshëm
Lajme

Damiano Toshi i shpëton burgimit të përjetshëm

Dënohet me 25 vite burg dhe mund të lirohet

Damiano Toshi, një nga emrat më të njohur të bandës së “5 Dyqaneve”, i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm dhe mund të dalë së shpejti nga burgu, pas vendimit të fundit të Gjykatës së Elbasanit.

Gjykata ka shpallur vendimin përfundimtar ndaj Toshit, duke e dënuar me 25 vite burg. Ulja e dënimit erdhi pasi u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, çka solli rrëzimin e dënimit të mëparshëm me burgim të përjetshëm.

Damiano Toshi u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si dhe për plagosjen e Julian Beckës. Ngjarja ndodhi më 3 shtator 2004 pranë Pallatit të Sportit në Korçë dhe konsiderohet një nga episodet kriminale më të rënda të asaj periudhe.

Vendimi i Gjykatës së Elbasanit erdhi pas rigjykimit të çështjes, i urdhëruar nga Gjykata e Lartë. Më herët, kjo gjykatë kishte prishur vendimin që e dënonte Toshin me burgim të përjetshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim të ri.

Megjithatë, procesi nuk pritet të përfundojë me këtë vendim. Prokuroria ka bërë të ditur se do ta ankimojë vendimin, duke argumentuar se për akuzën e vrasjes nuk duhej të pranohej gjykimi i shkurtuar dhe, për pasojë, nuk kishte bazë ligjore për uljen e dënimit.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse po kryejnë përllogaritjen e periudhës që Damiano Toshi ka kaluar në burg. Nëse rezulton se ai e ka vuajtur plotësisht dënimin e ri prej 25 vitesh, pritet të lirohet, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në një çështje që për më shumë se dy dekada ishte identifikuar me dënimin maksimal të drejtësisë shqiptare.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.