E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rihapen bastet online në Shqipëri, pritet hapja e garës për 10 licenca
Lajme

Rihapen bastet online në Shqipëri, pritet hapja e garës për 10 licenca

Pas një periudhe prej 28 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit për lojërat e fatit, qeveria ka përmbyllur të gjithë bazën nënligjore që i hap rrugë rikthimit të basteve sportive online në Shqipëri. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit bëri të ditur për mediat se tashmë janë përcaktuar procedurat që do të ndiqen për licencimin e kompanive, megjithëse ende nuk ka një afat të saktë për nisjen e aplikimeve.

Në total janë miratuar tetë akte nënligjore, përfshirë vendime të Këshillit të Ministrave dhe udhëzime përkatëse, që rregullojnë funksionimin e këtij tregu. Dy prej tyre, të miratuara më 26 qershor, lidhen me procedurat për pezullimin ose heqjen e licencave, si dhe me mënyrën e administrimit të fondit të posaçëm që krijohet nga aktiviteti i lojërave të fatit.

“Ligji 155/2015 ‘Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë’ (i ndryshuar), me miratimet e fundit është plotësuar me aktet nënligjore përsa i përket kategorisë së lojës ‘Baste Sportive online’”, thuhet në reagimin zyrtar të Autoritetit për Report TV.

Sipas Ministria e Financave, vonesa mbi dy vite për finalizimin e këtij kuadri lidhej me kompleksitetin teknik dhe institucional të procesit, si dhe me nevojën për ndërtimin e sistemeve të reja dhe kryerjen e konsultimeve të zgjeruara.

Ligji parashikon dhënien e 10 licencave, por momenti i hapjes së garës mbetet ende i papërcaktuar. Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në bashkëpunim me Komisionin e Licencave dhe sekretariatin teknik, do të organizojë procedurat konkurruese dhe vlerësuese sipas përcaktimeve ligjore.

Sipas rregullave, pasi Komisioni i Licencave të vendosë për hapjen e garës dhe numrin e licencave, brenda 7 ditësh publikohet njoftimi për aplikim në faqen zyrtare, në mediat ndërkombëtare dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.

Bastet sportive do të lejohen vetëm në formë online dhe aksesimi i tyre do të bëhet përmes identifikimit me kartë identiteti, madje edhe të skanuar. Sistemet do të jenë të pajisura me mekanizma që regjistrojnë çdo veprim të përdoruesve, si dhe me algoritme të dedikuara për përllogaritjen e fitimeve.

Në nenin 22 të ligjit, të miratuar në shkurt 2024, janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të përmbushin subjektet që kërkojnë licencë. Ndër kushtet kryesore përfshihen:

  • Kapital minimal prej 40 milionë lekësh;
  • Përvojë në fushën e lojërave të fatit në të paktën 3 vende të BE/OECD për një periudhë jo më pak se 3 vite;
  • Nëse përvoja sigurohet nga një aksionar, ai duhet të zotërojë të paktën 30% të aksioneve;
  • Xhiro minimale prej 2 miliardë lekësh në vitin e fundit financiar nga aktiviteti në këtë sektor.

Gjithashtu, kompanitë që do të operojnë në këtë treg duhet të depozitojnë një fond garancie prej 120 milionë lekësh në një llogari të veçantë bankare në favor të Ministrisë së Financave, i cili mund të zhbllokohet vetëm me autorizim të ministrit përgjegjës.

Rikthimi i basteve sportive online vjen rreth 7 vite pas aksionit “Fundi i Marrëzisë”, që hyri në fuqi më 1 janar 2019 dhe çoi në mbylljen e mbi 4 mijë pikave fizike të basteve në të gjithë vendin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.