E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Koçeku shpërthen ndaj Paketës së Maleve: Po ju marrin tokat pa e kuptuar!
Lajme

Koçeku shpërthen ndaj Paketës së Maleve: Po ju marrin tokat pa e kuptuar!

Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së zonave të Shalës, Shoshit dhe Pultit në të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”, duke ngritur shqetësime serioze mbi pasojat që kjo nismë mund të ketë për banorët dhe pronat e tyre.

Në një mesazh të drejtpërdrejtë drejtuar komunitetit të këtyre trevave, ajo thekson se iniciativa nuk përfaqëson një model të mirëfilltë zhvillimi për zonat malore, por përkundrazi, mund të shërbejë si një mekanizëm që çon drejt humbjes së kontrollit mbi tokat dhe identitetin lokal. Sipas saj, rreziku më i madh qëndron tek mundësia e tjetërsimit të pronës përmes procedurave ligjore, të cilat mund të paraqiten si zhvillim, por në thelb dëmtojnë interesat e banorëve.

Koçeku nënvizon se historikisht këto zona kanë ruajtur me fanatizëm identitetin dhe pronat e tyre, duke mos u nënshtruar as pushtimeve dhe as shitjeve. Ajo paralajmëron se format moderne të ndërhyrjes mund të jenë më të sofistikuara, duke ardhur të maskuara si politika zhvillimi.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e kushteve bazë për jetesë dhe zhvillim në këto zona, si infrastruktura rrugore, energjia apo dokumentacioni i qartë i pronësisë. Sipas saj, në këto rrethana, çdo premtim për investime duhet parë me kujdes të shtuar, pasi banorët rrezikojnë të humbasin më shumë sesa të fitojnë.

Në përfundim, deputetja u bën thirrje banorëve që përpara se të pranojnë çdo projekt apo ofertë, të kërkojnë fillimisht njohjen dhe garantimin e të drejtave të tyre mbi pronën. Ajo thekson se zhvillimi i vërtetë nuk mund të vijë duke i zhvendosur njerëzit nga tokat e tyre apo duke i kthyer në të varur nga të tjerët, por vetëm duke respektuar pronësinë dhe dinjitetin e komunitetit lokal.

Postimi i plotë:

Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,

Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.

Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.

Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet.

Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!

Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.