E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Egjiptiani pa patentë në timon, pse po “mbyllen sytë” për Dulakët?
Lajme

Egjiptiani pa patentë në timon, pse po “mbyllen sytë” për Dulakët?

Aksidenti tragjik pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë, ka hapur një debat të fortë mbi sigurinë në punë, zbatimin e ligjit dhe rolin e kompanive private në garantimin e standardeve minimale.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor hedhin dritë mbi një shkelje të rëndë: drejtuesi i autobetonieres nuk zotëronte leje drejtimi të vlefshme në Shqipëri dhe nuk ishte i pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP), dokument i domosdoshëm për drejtimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Madje, edhe leja e drejtimit që ai dispononte nga vendi i origjinës rezultonte e skaduar në momentin e aksidentit.

Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore për mënyrën se si operojnë kompanitë në sektorin e ndërtimit dhe transportit: si është e mundur që një person pa dokumentacion të rregullt të vihet në drejtimin e një mjeti që përbën rrezik të lartë për jetën?

Përgjegjësia në raste të tilla nuk kufizohet vetëm te individi. Në çdo strukturë funksionale ekziston një zinxhir kontrolli, ku verifikimi i dokumentacionit, vlefshmëria e lejeve dhe përputhshmëria me ligjin janë detyrime të qarta të punëdhënësit. Dështimi në këto hallka përbën jo vetëm shkelje administrative, por potencialisht edhe përgjegjësi penale.

Në këtë kontekst, mungesa e një reagimi të qartë publik për nisjen e hetimeve ndaj kompanisë “Alba-Beton” ngre pikëpyetje të forta për transparencën dhe barazinë para ligjit. Një ngjarje me pasoja fatale kërkon hetim të plotë, të paanshëm dhe të thelluar në çdo nivel përgjegjësie.

Institucionet ligjzbatuese duhet të japin përgjigje konkrete për disa çështje kyçe:

Kush ka kryer verifikimin e dokumentacionit të drejtuesit të mjetit?
A është kontrolluar vlefshmëria dhe njohja ligjore e lejes së drejtimit?
A ishte drejtuesi i pajisur me certifikimet profesionale të kërkuara?
A janë respektuar procedurat për punësimin e shtetasve të huaj?
Kush mban përgjegjësi për lejimin e daljes në qarkullim të një mjeti në këto kushte?

Në një shtet që synon standarde europiane, aksidentet me pasoja tragjike nuk mund të trajtohen si ngjarje të izoluara. Ato duhet të shërbejnë si pikënisje për reflektim institucional dhe ndëshkim të çdo shkeljeje, pa dallim ndikimi apo interesi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.