DASH: Shqipëria në shënjestër të sulmeve kibernetike nga Irani dhe Rusia
Shqipëria vijon të mbetet në shënjestër të sulmeve kibernetike të sponsorizuara nga shtete të huaja, ku veçohen veçanërisht Irani dhe Rusia. Ky vlerësim konfirmohet në raportin më të fundit mbi sigurinë për Shqipërinë, hartuar nga Këshilli Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC) për llogari të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Dokumenti e rendit Shqipërinë mes vendeve me ekspozim të lartë ndaj kërcënimeve kibernetike, duke theksuar se infrastruktura digjitale e institucioneve shtetërore mbetet një objektiv i vazhdueshëm i aktorëve shtetërorë dhe grupeve kriminale të organizuara në hapësirën online.
Sipas raportit, gjatë vitit 2026 janë regjistruar episode konkrete sulmesh nga Irani, të cilat kanë synuar faqet zyrtare dhe sistemet shtetërore në vend. Përveç këtyre, Shqipëria ka përjetuar edhe sulme të tipit “ransomware”, të cilat kanë ardhur nga rrjete kriminale ndërkombëtare, duke rritur ndjeshëm nivelin e rrezikut për të dhënat dhe shërbimet publike.
Ekspertët amerikanë paralajmërojnë se aktiviteti kibernetik i drejtuar nga shtetet, sidomos kur synon infrastrukturën kritike, mund të ketë pasoja të gjera – jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivel rajonal dhe global. Ndërprerja e funksionimit të shërbimeve publike, komprometimi i sistemeve dhe dëmtimi i sigurisë së të dhënave përbëjnë rreziqe reale për qytetarët dhe stabilitetin institucional, duke rritur potencialin për përshkallëzim konfliktesh.
“Shqipëria është një objektiv për sulme kibernetike keqdashëse nga aktorë shtetërorë, përfshirë Iranin dhe Rusinë. Shqipëria ka përjetuar gjithashtu sulme me programe “ransomware” nga grupe kriminale kibernetike. Në vitin 2026, Irani kreu sulme kibernetike kundër faqeve të internetit dhe sistemeve shtetërore të Shqipërisë. Aktiviteti kibernetik keqdashës nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose dëmton përdorimin dhe funksionimin e tij për të ofruar shërbime për publikun mund të ketë efekte të brendshme, rajonale dhe globale; përbën një rrezik të lartë dëmtimi për popullsinë; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt”, thuhet në raport.
Në aspektin e sigurisë nga terrorizmi, raporti e klasifikon Tiranën në një nivel kërcënimi mesatar. Megjithatë, theksohet se gjatë dekadës së fundit nuk është regjistruar asnjë sulm terrorist në territorin shqiptar. Si rasti më i fundit i evidentuar mbetet tentativa e vitit 2018, e lidhur me një komplot të regjimit iranian ndaj muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri, e cila u neutralizua nga autoritetet.
Sa i përket kriminalitetit, vlerësimi mbetet po në nivel mesatar, por raporti nënvizon progresin e bërë nga institucionet shqiptare në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Ky bashkëpunim ka ndikuar në forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit, goditjen e rrjeteve kriminale dhe përpjekjet për uljen e korrupsionit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



