Apeli i GJKKO rrëzon Orest Sotën, mbetet në fuqi sekuestrimi i pasurive
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Orest Sota, duke mos pranuar për shqyrtim ankimin e tij kundër urdhrit të sekuestros preventive të vendosur nga Shkalla e Parë. Ky vendim e lë në fuqi masën ndaj pasurive të tij, ndërsa hetimet vijojnë me intensitet.
Orest Sota u arrestua në qershor të vitit 2026 me urdhër të SPAK, në kuadër të një dosjeje të rëndë që lidhet me trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash. Autoritetet dyshojnë për përfshirje në një rrjet të strukturuar kriminal, ndërsa sekuestroja preventive konsiderohet si një nga hapat kyç për të bllokuar asetet e dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Më herët, në prill të këtij viti, biznesmeni kaloi rreth pesë orë në ambientet e SPAK, ku dha shpjegime në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në këtë çështje rezulton në kërkim edhe Ergys Agasi, me të cilin Sota njihet për lidhje të afërta miqësore.
Hetimet nxjerrin në pah gjithashtu lidhje të mëparshme biznesi mes tyre, pasi Orest Sota rezulton të ketë qenë ortak në kompaninë “Equos”, e cila është në pronësi të Agasit. Këto elemente po analizohen nga prokurorët si pjesë e një skeme më të gjerë që dyshohet se përfshin korrupsion, pastrim parash dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Vendimi i Apelit përforcon pozicionin e SPAK në këtë çështje, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi rolin dhe përfshirjen e personave të hetuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



