Afera e “AKSH-it”, Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK
Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Më herët, Karçanaj ndodhej në masën “arrest në shtëpi”, por kjo masë u zëvendësua me një më të lehtë nga Gjykata e Lartë, duke i hapur rrugë paraqitjes periodike pranë organit të akuzës.
Ish-zyrtarja është një nga tetë të pandehurit në dosjen që lidhet me tenderat e AKSHI-t, ku sipas hetimeve paraprake dyshohet për një skemë të organizuar manipulimi të procedurave të prokurimit publik.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, duke favorizuar kompani të caktuara dhe duke ushtruar presion ndaj operatorëve ekonomikë konkurrues, me qëllim përfitimin e paligjshëm.
Ndaj tyre rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e parave.
Hetimet për këtë çështje vijojnë nën drejtimin e SPAK, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi rolin e secilit prej të pandehurve në këtë skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



