E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Karakaçi i jep 1 milion € Agron Papulit  për makina me qira
Investigim

Karakaçi i jep 1 milion € Agron Papulit për makina me qira

Një tjetër tender me hije të fortë abuzimi dhe paracaktimi është mbyllur nga shoqëria publike Albanian Gas Service Company Sh.a., e cila ndodhet nën varësinë direkte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Objekti i procedurës me numër reference REF-89865-06-12-2026 ka ngritur dyshime të mëdha për mënyrën se si po menaxhohen paratë publike: “Marrje me qira automjete pa mundësi blerje”, me një fond limit prej 94,796,250.00 lekësh të reja (pa TVSH).

Skema e qirasë pa të drejtë blerjeje: Pse të mos bliheshin makinat?
Pikëpyetja më e madhe e këtij tenderi që kap shifrën e pothuajse mbi 950 milionë lekë të vjetra pa TVSH, lidhet me vetë konceptin e kontratës: marrja e makinave me qira, por pa asnjë të drejtë blerjeje në fund të afatit.

Kjo formë kontrate ngre dyshime të forta për një skemë të pastër abuzimi me fondet publike. Me dhjetëra miliona lekë të shpenzuara nga paratë e taksapaguesve, institucioni po paguan vetëm shfrytëzimin e përkohshëm të mjetit. Në përfundim të kontratës, të gjitha automjetet mbeten pronë e kompanisë private, ndërsa institucioni shtetëror mbetet me duart bosh, pa asnjë aset në pronësi. Pse shteti nuk zgjodhi blerjen direkte të mjeteve, ku në fund të procesit makinat do t’i mbeteshin institucionit publik?

Skualifikohen ofertat deri në 68 milionë lekë më të ulëta
Sikur të mos mjaftonte formulimi i dyshimtë i tenderit, procedura është shoqëruar me skualifikimin e operatorëve që ofruan çmime më të ulëta, për t’ia dhënë kontratën prej 86,445,000.00 lekësh të reja apo rreth 1 miliard lekë të vjetra me TVSH, kompanisë “C L A S S I C” Shpk.

Nga dokumentet e procedurës shihet se kompania “MOBILITY” Shpk ka paraqitur ofertën më të ulët prej 79,628,850 lekësh tëreja, ose 6,816,150 lekë të reja më pak se fituesi i shpallur. Po ashtu, një tjetër operator, “MEKTRIN MOTORS” Shpk, kishte ofruar 81,702,000 lekë të reja, pra 4,743,000 lekë të reja më pak se oferta fituese.

Pavarësisht kësaj diference të dukshme, Albanian Gas Service Company Sh.a. ka skualifikuar ofertat më të lira ekonomike dhe ka zgjedhur të shpallë fituese kompaninë “C L A S S I C” Shpk.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.