E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë po ‘gatuhet’? Berisha paralajmëron vjeshtë ‘të nxehtë’ politike
Lajme

Çfarë po ‘gatuhet’? Berisha paralajmëron vjeshtë ‘të nxehtë’ politike

Sali Berisha paralajmëron një përshkallëzim të fortë të aksionit opozitar në vjeshtë, duke deklaruar se muajt e ardhshëm do të shoqërohen me “temperaturat më të larta politike”. Kreu i Partisë Demokratike thotë se opozita do të angazhohet për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe paralajmëron se do të përdoren të gjitha mjetet politike në dispozicion.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se në disa qytete kanë nisur protesta të opozitës, por pranoi se ato mbeten ende sporadike dhe nuk kanë marrë përmasat masive që, sipas tij, duhet të kenë.

Ai deklaroi se opozita do të kërkojë krijimin e një qeverie kujdestare që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa e konsideroi të pashmangshëm përshkallëzimin e përballjes politike me qeverinë.

“Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike. Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita do të përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie dhe rrokullisjen e saj nuk ka forcë në botë që ta ndalë. Në një seri qytetesh, opozita është në protestë, por këto janë sporadike, të organizuara, por nuk janë masive sa ç’duhet të jenë. Me Edi Ramën, çdo ditë, çdo javë që kalon, Shqipëria shkon thellë e më thellë në krizën e saj. Ndaj edhe thashë, poll-et, janë të tijat. Rama nuk ka më shpresë. Një grindavec i droguar që merret, shahet e zihet gjithë ditën me protestuesit për komentet e tyre të drejta, etiketat që i vënë. Trollsa, sorra, korba, përfytyron veten si kufomë politike. Dihet që korbat e sorrat ushqehen me kufoma, unë them politike, jo fizike”, u shpreh Berisha.

Berisha kundër hartës së re territoriale

Në të njëjtën konferencë, Berisha ka kundërshtuar propozimin e Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive përmes bashkimit ose shkrirjes së njësive ekzistuese.

Sipas kreut të PD-së, reforma e propozuar nga mazhoranca nuk përfaqëson decentralizim, por një përqendrim edhe më të madh të pushtetit. Në të kundërt, Berisha ka mbrojtur propozimin e opozitës për 100 njësi territoriale, ndërsa ka bërë të ditur se harta e PD-së, e cila aktualisht parashikon 111 njësi, mbetet e hapur për diskutime me komunitetet.

“Edi Rama nuk pyet për asgjë. Ai njeh vetëm interesin e karriges së tij dhe pushtetit të pakufishëm që po shkon drejt fundit. Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat që ekzistojnë për hartë më të mirë të mundshme të ndarjes së njësive territoriale. Harta jonë paraqet 111 njësi, por ajo është e hapur për diskutim. Që nga diskutimet me komunitetet, aty ku ekzistojnë kushtet më minimale të krijohen dhe njësi të tjera. Ky është qëndrimi ynë.

Decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik. Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hiper-centralizimin e pushtetit në Shqipëri, në disa aspekte, ju nuk e njihni, por absolutisht më shumë se diktatori Enver Hoxha. Në diktaturë, ishin komitetet ekzekutive të rrethit, por kishte dhe lokalitete, të cilat ishin si komunat, me këshilla dhe me kompetenca, në të cilën qytetarët merrnin lejet, merrnin vërtetimet, kishin gjendjen civile, pra kishin një seri shërbimesh. Dhe ajo ishte diktatura më moniste. Ishte më keq se Koreja e Veriut sot, po këtë e kishte. Ky i hoqi, ky fshiu, ky është vetëm vetë. Ndaj dhe çdo ditë që qëndron në pushtet është një ditë e humbur, e dhimbshme për shqiptarët”, tha Berisha.

Përplasja me Beogradin dhe akuzat ndaj Ramës

Berisha është ndalur edhe te debati i fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë lidhur me deklaratat për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër në Kosovë.

Duke komentuar qëndrimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, kreu i PD-së i ka cilësuar deklaratat e tij si destabilizuese, ndërsa ka theksuar se ato janë dënuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

“Deklaratat e Vuçiç janë destabilizuese, por u dënuan nga BE dhe SHBA se të përdorësh etjen si armë do të thotë se racizmi yt dhe barbaria jote shkon në nivele mitologjike. Duke harruar se jetohet në një realitet ku ka ligje ndërkombëtare, të cilat diktojnë qëndrimin ndaj ujërave, liqeneve, lumenjve. Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush. Liqenet në Kosovë janë ndërtuar nga ish-Jugosllavia e Titos dhe janë brenda territorit administrativ të Kosovës. Po të jetë puna për të përdorur armë të tilla, atëherë ai që imagjinon këto është i qartë kundër paqes në rajon, ndaj dhe erdhi reagimi i djeshëm si i Bashkimit Evropian, ashtu dhe i Departamentit të Shtetit. Me asgjë nuk mund të lajë Edi Rama shërbimet antishqiptare që i ka bërë Beogradit. Jo me etje dhe shterim uji, por duke iu shkatërruar vendet e punës, duke iu vrarë shpresën dhe votën e lirë, Edi Rama ka kryer një genocid të butë, dy herë më të madh se genocidi i kryer nga platforma e Çubriloviçit në Kosovë. Tani, a mundet Edi Rama të purifikohet të themi, nga aktet e panumërta të tradhtisë kombëtare? Jo, me asgjë. Ai ka kryer aktet më të larta të tradhtisë kombëtare ndaj shqiptarëve në Shqipëri, ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndaj kombit shqiptar”, tha Berisha.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur debati politik pritet të zhvendoset gjithnjë e më shumë te Reforma Territoriale, aksioni opozitar dhe protestat kundër qeverisë. Paralajmërimi për një “vjeshtë të temperaturave më të larta politike” lë të hapur skenarin e një përshkallëzimi të përballjes mes opozitës dhe mazhorancës në muajt e ardhshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.