Vjosa Osmani tregon përplasjen me Kurtin:
VV-ja e donte Presidentin si figurë kukull që s’bën asgjë
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbardhur disa prej dallimeve që, sipas saj, u shfaqën gjatë takimeve mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për një marrëveshje të mundshme politike.
LDK-ja tashmë ka vendosur të qëndrojë në opozitë, duke hequr dorë nga kërkesat për postet e kryeparlamentarit, Presidentit apo pjesëmarrjen në Qeveri. Megjithatë, partia ka shprehur gatishmërinë për të votuar një President konsensual, nëse kandidati plotëson kriteret që ajo i konsideron të domosdoshme.
Osmani tha se LDK-ja e sheh Presidentin si një figurë me përvojë dhe qëndrime politike, por jo partiake.
“Për ne një President i Republikës duhet të ketë një përvojë, duhet të ketë qëndrime politike, jo partiake, ajo është tjetër gjë. Jo të mbajë qëndrime partiake, por të ketë qëndrime politike, të ketë njohuri politike, të ketë mundësi ta mbrojë Kushtetutën, të kryejë kompetencat e veta me nder, ta përfaqësojë vendin jashtë dhe të konsiderohet si një ekuilibër, një lloj balancuesi i pushteteve, siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës”, tha Osmani.
Sipas saj, qasja e Vetëvendosjes ka qenë ndryshe. Osmani pretendon se VV-ja ka kërkuar një President që të mos ketë qëndrime të forta politike dhe të ketë një rol kryesisht simbolik.
“Kurse pala tjetër, pra Vetëvendosja, më shumë e sheh si një figurë totalisht të parëndësishme, që nuk bën asgjë, një figurë simbolike që e shohim ndoshta një herë ose dy në vit. Por, nuk ka qëndrime, kështu e kemi kuptuar ne”, shtoi ajo.
Osmani theksoi se për LDK-në Presidenti nuk duhet të shihet thjesht si një prej pushteteve, por si një mekanizëm që mund të shërbejë për balancimin e tyre.
Sipas Osmanit, Vetëvendosje e ka parë Presidentin më shumë si një kontrollues të pushtetit, për çka, sipas saj, nuk ka preferuar një kandidat me përvojë të theksuar politike.
“Lëvizja Vetëvendosje e shihte Presidentin si një kontrollues, prandaj nuk donte që Presidenti të jetë një person që ka përvojë politike, e donte dikë komplet jashtë”, tha ish presidentja.
Tashmë, Osmani thotë se diskutimi duhet të kalojë në një fazë tjetër, atë të emrave konkretë. Ajo ka bërë të qartë se vota e LDK-së do të lidhet me zgjedhjen e një Presidenti që përmbush kriteret e tyre.
“Ne do të diskutojmë për emra konkretë jashtë partive politike, megjithatë ne do të vazhdojmë të insistojmë që Presidenti të jetë dikush që ka mundësi, ka përvojë dhe ka gatishmëri e guxim që ta mbrojë Republikën kur duhet, ta mbrojë interesin e qytetarëve e Kushtetutën”.
Osmani tha se kjo qasje nuk nënkupton domosdoshmërisht përplasje mes Presidentit dhe Qeverisë. Përkundrazi, sipas saj, bashkëpunimi institucional është normal kur bëhet në interes të vendit.
“Por, ka raste kur Presidenti duhet të ndërhyjë, duhet të marrë qëndrime të caktuara, duhet të flasë rreth atyre qëndrimeve dhe ne duhet të zgjedhim një kandidat që i plotëson këto kritere”, përfundoi Osmani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



