Drejtuesit e mjeteve në rrezik serioz, shembet rruga Skrapar–Berat
Një situatë që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për drejtuesit e automjeteve është evidentuar në aksin rrugor Skrapar–Berat, ku një pjesë e rrugës është shembur dhe ka krijuar një gropë të konsiderueshme në karrexhatë.
Problematika bëhet edhe më shqetësuese për shkak të mungesës së sinjalistikës paralajmëruese. Sipas raportimeve, dëmtimi ndodhet menjëherë pas një kthese, çka e kufizon ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve dhe e bën të vështirë evidentimin e pengesës në kohë.
Në këto kushte, automjetet që qarkullojnë në këtë segment përballen me një rrezik të shtuar për aksidente. Një drejtues që nuk arrin ta dallojë gropën në kohë mund të humbasë kontrollin e automjetit ose të përfundojë brenda pjesës së shembur të rrugës.
Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse, jo vetëm për riparimin e segmentit të dëmtuar, por fillimisht për sinjalizimin e rrezikut dhe sigurimin e zonës.
Vendosja e sinjalistikës së nevojshme do të ishte një masë urgjente për të paralajmëruar drejtuesit dhe për të shmangur incidente të mundshme, veçanërisht gjatë orëve të natës apo në kushte të dobëta të shikueshmërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





