Skandali! Kryetari i Gjykatës së Lartë organizon festa private me Edi Ramën
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas pjesëmarrjes së kryeministrit Edi Rama në festivalin “Vajza Fest”, të zhvilluar në fshatin Vajzë të Selenicës.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Këlliçi e ka cilësuar si “mega skandal” praninë e Ramës në aktivitetin e organizuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke ngritur pikëpyetje mbi marrëdhënien mes kreut të qeverisë dhe një prej figurave më të larta të sistemit gjyqësor.
Sipas Këlliçit, fakti që kryeministri ka marrë pjesë në aktivitet me ftesë të drejtpërdrejtë të Sadushit tregon, sipas tij, një “afërsi të pazakontë” mes dy figurave.
Duke iu referuar deklaratave të Ramës gjatë aktivitetit, deputeti demokrat thotë se kryeministri ka treguar se Sadushi e kishte ftuar për katër vite me radhë dhe se ai kishte pranuar të merrte pjesë këtë herë.
Për Këlliçin, kjo marrëdhënie ngre pikëpyetje serioze për perceptimin e pavarësisë së gjyqësorit, sidomos në rastet kur përballë gjykatave mund të jenë qytetarë apo subjekte që kanë konflikte me qeverinë.
“Imagjinoni të jeni palë në një proces gjyqësor përballë Edi Ramës apo qeverisë së tij në Gjykatën e Lartë, të drejtuar nga miku i tij, Sadushi. A do të kishim barazi para ligjit?”, shkruan Këlliçi.
Ai argumenton se një institucion i nivelit më të lartë të sistemit gjyqësor duhet të ruajë një distancë të qartë nga politika dhe se ekspozimi publik në aktivitete të tilla mund të krijojë perceptimin e kundërt.
Sipas tij, nuk ka ndodhur më parë që një figurë në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm të drejtësisë të shfaqet publikisht në një marrëdhënie kaq të afërt me kreun e mazhorancës.
Këlliçi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mesazhin që një sjellje e tillë u përcjell gjyqtarëve dhe magjistratëve të tjerë, duke argumentuar se kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë një nga figurat që garanton më shumë se kushdo tjetër perceptimin dhe standardin e pavarësisë së drejtësisë.
Në vijim të reagimit, nënkryetari i PD-së i referohet edhe vendimmarrjeve të fundit të Gjykatës së Lartë, duke pretenduar se Sokol Sadushi ka ndërmarrë hapa që, sipas tij, favorizojnë zyrtarët e lartë të përfshirë në çështje korrupsioni.
Këlliçi pretendon se ndryshimet në praktikën gjyqësore lidhur me masat e sigurisë mund të kenë efekt në mënyrën se si trajtohen zyrtarët e akuzuar për korrupsion, duke e akuzuar Sadushin se po shndërrohet në një mbështetës të tyre.
Në përfundim, ai e ashpërson akuzën ndaj kreut të Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar atë si “avokati më i madh” i zyrtarëve dhe politikanëve që, sipas tij, prej 13 vitesh kanë abuzuar me pushtetin dhe fondet publike.
Reagimi i plotë:
Mega Skandal!!! Kryetari i Gjykatës së Lartë organizon festa private me Edi Ramën!
Në një festë të Labërisë, në fshatin Vajzë, ishte vetë Kryeministri që zbuloi një fakt të pabesueshëm. Ai ndodhej aty sepse e kishte ftuar Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Pra, kryegjyqtari i Shqipërisë, që shpesh herë e kemi parë në foto me shall të kuq pionieri, qenka organizator i këtij ahengu dhe kishte insistuar personalisht që Kryeministri të ishte i pranishëm. Sipas Ramës, Sadushi e kishte bezdisur për katër vite me radhë me ftesa dhe, më në fund, ai kishte vendosur të shkonte.
Kjo dëshmon një afërsi të pazakontë mes Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe kreut të qeverisë. Është në kufijtë e skandalit, edhe pse mes aferave të rënda të Edi Ramës kjo mund të duket paksa romantike.
Por a është kjo diçka që do të ndodhte në vende të tjera normale të Europës, ku duam të integrohemi?!
Imagjinoni të jeni palë në një proces gjyqësor përballë Edi Ramës apo qeverisë së tij në Gjykatën e Lartë, të drejtuar nga miku i tij, Sadushi. A do të kishim barazi para ligjit?!
Asnjëherë më parë një instancë kaq e lartë e gjyqësorit në vend nuk është shfaqur dhe asociuar kaq hapur me një mazhorancë dhe kreun e saj. Gjykata e Lartë, që duhet të jetë garante e paanësisë dhe simbol i pavarësisë së drejtësisë, ekspozohet kështu si e njëanshme dhe e varur kryekëput nga Kryeministri.
Çfarë mesazhi u përcjell kryegjyqtari i vendit gjyqtarëve dhe magjistratëve të tjerë me këtë sjellje, kur bëhet publike se ai, si organizator i festës, e ka ftuar për vite me radhë Kryeministrin të jetë në krye të tavolinës?!
Lidhjet dhe afeksioni i Sadushit me qeverinë janë të njohura.
Së fundmi, ai ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar praktikën gjyqësore dhe për të lehtësuar masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, në mënyrë që burgu të jetë masa e fundit që merret ndaj tyre.
Sadushi është tashmë zyrtarisht avokati më i madh i zyrtarëve e politikanëve, që kanë 13 vite që fusin çdo ditë e më shumë duart në xhepat e shqiptarëve.
Deklaratat e Këlliçit janë politike dhe përbëjnë qëndrimin e tij ndaj marrëdhënies së pretenduar mes kreut të qeverisë dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



