Zjarri në hotelin në Vlorë, një i plagosur në gjendje të rëndë
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur gjendjen shëndetësore të pesë personave që u transportuan drejt Tiranës pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu në orët e para të mëngjesit hotelin “Brooklyn”, në zonën e Lungomares në Vlorë.
Tre prej të dëmtuarve po marrin trajtim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ndërsa dy të tjerë ndodhen në Spitalin Universitar të Traumës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, njëra prej pacienteve në QSUT është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve dhe kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Një tjetër pacient i shtruar në QSUT paraqitet klinikisht më i qetë dhe po ndiqet nga mjekët.
Ndërkohë, dy personat që ndodhen në Spitalin e Traumës kanë pësuar fraktura, pasi janë detyruar të hidhen nga ballkoni i hotelit në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit.
Njëra prej pacienteve në Traumë është në gjendje të stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet nën monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm. Pacientja tjetër paraqitet gjithashtu në gjendje të qëndrueshme.
Si ndodhi zjarri?
Zjarri ka rënë rreth orës 04:05 në hotelin që ndodhet në lagjen “10 Korriku”, në zonën e Lungomares. Në momentin kur shpërthyen flakët, në hotel ndodheshin pushues, disa prej të cilëve u përpoqën të shpëtonin duke dalë nga dritaret apo duke u hedhur nga ballkonet.
Fillimisht, gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Pesë prej tyre u transportuan më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa një person vijon të marrë ndihmë mjekësore në Vlorë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, pesë prej të lënduarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa njëri është nga Rrësheni.
Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, Policia dyshon se zjarri ka qenë aksidental. Sipas të dhënave të deritanishme, flakët dyshohet se janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit që ndodhej në ambientet e restorantit.
Më pas zjarri është përhapur në godinën e hotelit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e të gjitha rrethanave të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



