Ministri belg “traumatizohet” para se të largohet nga Shqipëria
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka zgjedhur Shqipërinë si destinacion për pushimet e tij verore, duke vizituar disa prej zonave turistike të vendit dhe duke ndarë me ndjekësit e tij pamje nga qëndrimi.
Në përfundim të vizitës, Francken është ndalur edhe në Tiranë, pak para se të largohej drejt Belgjikës.
Përmes rrjeteve sociale, ministri belg ka publikuar fotografi dhe video nga kryeqyteti, ku shfaqen ndërtesa të ndryshme, Liqeni Artificial dhe rrugët e Tiranës.
Por, krahas pamjeve që pasqyrojnë anët pozitive të kryeqytetit, një detaj i ka tërhequr veçanërisht vëmendjen.
“Mbeturina kudo në rrugë”
Francken ka evidentuar problemin e mbetjeve urbane, duke publikuar pamje ku shihen mbeturina në rrugë, trotuare dhe hapësira të gjelbra.
Në një Instastory të publikuar pak orë më parë, ministri belg ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për situatën, duke shkruar:
“E vetmja gjë që më ka bezdisur në Shqipërinë e bukur, mbeturinat kudo në rrugë. Çmenduri.”
Kritika e ministrit belg vjen në përfundim të një qëndrimi turistik në Shqipëri, gjatë të cilit ai ka ndarë me ndjekësit edhe shumë pamje nga qytetet dhe destinacionet që ka vizituar.
Megjithatë, në ditët e fundit të pushimeve, problemi i mbetjeve në hapësirat publike duket se ka qenë ajo që i ka lënë shijen më negative.
Postimi i Francken rikthen në vëmendje një prej problematikave që shoqëron veçanërisht zonat urbane dhe turistike gjatë sezonit veror, kur numri i vizitorëve rrit ndjeshëm edhe presionin mbi shërbimet e pastrimit.



Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



