E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pasuritë e 9 të huajve nën lupën e SPAK, dyshimet e forta
Lajme

Pasuritë e 9 të huajve nën lupën e SPAK, dyshimet e forta

Një hetim i nisur në Itali ndaj një grupi të dyshuar kriminal, që akuzohet për kontrabandën dhe shitjen e paligjshme të gazit ftohës me origjinë nga Kina, është shtrirë edhe në Shqipëri. Në kuadër të një letër-porosie të dërguar nga drejtësia italiane dhe të pranuar nga GJKKO, SPAK është ngarkuar me verifikimin e pasurive dhe llogarive bankare të disa prej personave të dyshuar.

Bëhet fjalë për 9 shtetas të huaj, konkretisht 5 italianë, 3 bullgarë dhe një shtetas ukrainas, të cilët sipas hetuesve italianë dyshohet se kanë lidhje me grupin kriminal. Në fokus të verifikimeve janë edhe 7 kompani tregtare të lidhura me personat nën hetim.

Kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare është përcjellë nga Prokuroria e Torre Annunziata në Itali. Autoritetet italiane kanë kërkuar gjurmimin e aktivitetit financiar dhe identifikimin e pasurive që personat e dyshuar dhe kompanitë e tyre kanë në territorin shqiptar.

Sipas të dhënave të përfshira në vendimin gjyqësor që autorizon ekzekutimin e letër-porosisë, grupi dyshohet se siguronte në Kinë gaz ftohës, një produkt industrial që përdoret kryesisht në frigoriferë dhe sisteme kondicionimi. Malli dyshohet se futej në Itali duke shmangur kontrollet doganore dhe detyrimet tatimore.

Hetimi italian ngre dyshime se, pas importimit, gazi magazinohej dhe modifikohej, ndërsa më pas tregtohej në Itali me çmime më të ulëta se ato të tregut. Për të maskuar transaksionet, grupi dyshohet se përdorte fatura fiktive dhe veprime financiare që nuk pasqyronin aktivitetin real tregtar.

Struktura e dyshuar kriminale është zbuluar pas një hetimi të gjatë nga autoritetet italiane, ku në cilësinë e provave janë përdorur, ndër të tjera, bombola me gaz të sekuestruara, përgjime telefonike dhe pamje të siguruara përmes kamerave të vendosura në ambientet e magazinave dhe kompanive të përfshira.

Hetuesit italianë dyshojnë gjithashtu se një pjesë e të ardhurave nga aktiviteti i paligjshëm është transferuar jashtë Italisë. Sipas materialeve të hetimit, pagesa dhe lëvizje të dyshimta financiare janë evidentuar përmes llogarive bankare në disa shtete, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Greqinë, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun.

Në këtë kuadër, SPAK duhet të identifikojë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme që 9 personat nën hetim dhe 7 kompanitë kanë në Shqipëri. Po ashtu, autoritetet shqiptare do të verifikojnë llogaritë bankare të lidhura me ta dhe do të analizojnë lëvizjet financiare.

Kontrollet mbi aktivitetin bankar do të përfshijnë transaksionet hyrëse dhe dalëse duke nisur nga janari i vitit 2025, me qëllim evidentimin e burimit, destinacionit dhe natyrës së transfertave financiare që mund të kenë lidhje me aktivitetin e dyshuar kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.