E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndryshon ligji i Policisë së Shtetit, kompetencat e reja të kryepolicit
Lajme

Ndryshon ligji i Policisë së Shtetit, kompetencat e reja të kryepolicit

Nga sot, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka më shumë kompetenca për të ndërhyrë në strukturat drejtuese të policisë në qarqe dhe komisariate, nëse vlerëson se ndryshimet mund të përmirësojnë rendin dhe sigurinë publike.

Ky është një nga ndryshimet që sjell ligji i ri për Policinë e Shtetit, i cili hyn në fuqi më 24 gusht 2026, pas miratimit në Kuvend më 23 korrik me votat e mazhorancës.

Ndryshimi rikthen mundësinë që drejtori i Përgjithshëm të bëjë lëvizje në nivelet drejtuese të drejtorive vendore dhe komisariateve, një kompetencë që ishte kufizuar pas ndryshimeve ligjore të shtatorit 2024.

Në dy vitet e fundit, emërimet në nivelet drejtuese u shoqëruan me procedura konkurrimi, me synimin për të krijuar një sistem më të bazuar në garë. Megjithatë, kjo praktikë është shoqëruar edhe me kritika për burokracinë dhe efektivitetin e strukturave policore në terren.

Konkursi për kryepolicin mbetet në fuqi

Pavarësisht ndryshimeve të reja, zgjedhja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit do të vazhdojë të bëhet përmes konkursit.

Edhe drejtuesit e departamenteve do të vijojnë të përzgjidhen me konkurrim. Kjo pikë ndryshon nga drafti fillestar i ndryshimeve ligjore, ku ishte parashikuar heqja e konkursit për këtë kategori drejtuesish.

Një tjetër risi lidhet me statusin e drejtorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit. Sipas rregullave të reja, ai mund të vijojë karrierën brenda strukturave të Policisë së Shtetit edhe pasi të përfundojë mandati në krye të institucionit.

Skënder Hita pritet të jetë rasti i parë i një drejtori të Përgjithshëm me gradën “drejtues madhor” që, pas përfundimit të detyrës, rikthehet në radhët e Policisë së Shtetit. Një praktikë e tillë nuk është aplikuar më parë për drejtuesit që kanë komanduar policinë shqiptare.

Shkurtohet koha për ngritjen në gradë

Ndryshime janë bërë edhe në sistemin e gradave, një prej çështjeve që ka shkaktuar vazhdimisht diskutime brenda Policisë së Shtetit.

Periudha e nevojshme për kalimin nga grada “komisar” në “kryekomisar” dhe më pas nga “kryekomisar” në “drejtues” është shkurtuar nga pesë në katër vjet.

Ndryshimi synon të krijojë mundësi më të shpejta për avancimin e efektivëve që kanë treguar rezultate të mira, duke shmangur vonesat që mund të shkaktohen vetëm nga kriteret dhe procedurat administrative.

Ligji parashikon gjithashtu mundësinë e ngritjes në gradë si shpërblim për veprime të veçanta. Një punonjës policie mund të përfitojë gradim edhe në rast se kryen një veprim të jashtëzakonshëm, përtej pritshmërive, gjatë situatave të rrezikshme ose të paparashikueshme.

Në këto raste, vendimi për ngritjen në gradë merret nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si formë vlerësimi për kontributin dhe guximin e treguar nga efektivi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.