Deputetët i kushtuan buxhetit 541 mijë euro vetëm në korrik
251 mijë euro shkuan për dieta e rimbursime
Ndërsa debati politik për performancën dhe rolin e deputetëve në Kuvend vijon, një tjetër tregues mbetet me interes të drejtpërdrejtë publik: sa i kushtojnë ligjvënësit buxhetit të shtetit.
Sipas pasqyrave financiare të Kuvendit të Shqipërisë për muajin korrik 2026, vetëm për një muaj fatura totale e deputetëve arrin në rreth 541 mijë euro, duke përfshirë pagat dhe përfitimet e tjera financiare.
Përveç pagës bazë, që llogaritet në afro 2 mijë euro në muaj, deputetët përfitojnë një seri rimbursimesh dhe pagesash shtesë: karburant, telefon, dieta për udhëtime brenda vendit, honorare për mbledhjet e komisioneve, qira banese dhe, në raste të caktuara, fatura hoteli.
10 deputetët me përfitimet më të larta ekstra
Në krye të listës së përfitimeve dytësore për korrikun, pa përfshirë pagën bazë, rezultojnë:
1. Antoneta Dhima – 2,812 euro
2. Elton Korreshi – 2,812 euro
3. Erjo Mile – 2,794 euro
4. Bledi Çomo – 2,794 euro
5 Ledina Alolli – 2,757 euro
6. Zegjine Çaushi – 2,738 euro
7. Ilirjan Pendavinji – 2,720 euro
8 Fadil Nasufi – 2,702 euro
9. Kiduina Zaka – 2,702 euro
Përfitimet ekstra për disa prej deputetëve të listës rezultojnë kështu më të larta edhe se vetë paga mujore bazë.
251 mijë euro vetëm për përfitimet shtesë
Në total, gjatë muajit korrik Kuvendi ka shpenzuar 250,997 euro vetëm për përfitimet dytësore të deputetëve.
Pjesën dërrmuese të kësaj shume e zënë dietat për udhëtimet brenda vendit:
● 156,243 euro – dieta për udhëtime brenda vendit
● 49,512 euro – rimbursim karburanti
● 23,991 euro – rimbursim telefonie
● 14,484 euro – honorare për mbledhjet e komisioneve
● 6,570 euro – rimbursim qiraje banese
● 194 euro – rimbursim faturash hoteli
Vetëm dieta dhe karburanti kanë kushtuar kështu më shumë se 205 mijë euro në një muaj.
Fatura totale: afro 541 mijë euro
Nëse shumës prej rreth 290 mijë eurosh për pagat bazë i shtohen 250,997 euro për përfitimet ekstra, kostoja totale e deputetëve për muajin korrik arrin në:
540,997.15 euro.
Pra, afro 541 mijë euro në vetëm 31 ditë.
Shënim i Publik.al
Shifrat financiare nuk tregojnë vetvetiu nëse një deputet punon shumë apo pak. Dietat, karburanti, telefoni apo qiraja janë përfitime të parashikuara nga rregullat dhe, kur plotësohen kriteret, përfitimi i tyre është ligjor.
Por pikërisht këtu nis debati publik.
Kur një deputet përfiton mijëra euro në muaj mbi pagën, qytetari ka të drejtë të kërkojë të dijë se çfarë pune parlamentare, legjislative apo përfaqësuese prodhon në këmbim të kësaj kostoje.
Problemi nuk është vetëm sa marrin deputetët. Problemi është raporti mes parave publike që shpenzohen dhe punës publike që qytetari arrin të shohë.
Në një vend ku pensionet dhe të ardhurat e një pjese të madhe të familjeve mbeten të ulëta, transparenca për çdo euro të shpenzuar nga Kuvendi nuk është populizëm. Është detyrim.
Dhe kur emra që marrin ndër përfitimet më të larta mbeten pothuajse të padukshëm në debatin parlamentar dhe publik, pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “Sa morën?”
Pyetja më e rëndësishme është: “Çfarë prodhuan për qytetarin me këto para?”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



