Startup-et/ Të njëjtët emra ‘gllabërojnë’ sërish fondet publike
Pas javësh pritjeje, denoncimesh publike dhe një përgënjeshtrimi nga drejtuesi i Startup Albania, lista zyrtare e përfituesve të Grantit 2026 është bërë më në fund publike. Dokumenti përfundimtar ka sjellë disa ndryshime krahasuar me listën paraprake të publikuar në fillim të gushtit, por një element mbetet i pandryshuar: një numër i konsiderueshëm përfituesish rikthehen sërish te fondet publike.
Krahasimi i listave të viteve 2025 dhe 2026 nxjerr në pah të paktën 15 persona që janë shpallur fitues në të dyja vitet. Në disa raste është ruajtur i njëjti projekt, ndërsa në të tjera emri është ndryshuar pjesërisht ose tërësisht. Megjithatë, në disa prej rasteve vazhdon të jetë i njëjtë edhe NIPT-i i subjektit.
Pra, ndërsa emërtimi i projektit mund të ndryshojë, emri i përfituesit mbetet i njëjtë.
15 emra që marrin grant në dy vite radhazi
Krahasimi i dokumenteve zyrtare tregon se këta janë përfituesit që shfaqen në të dyja listat:
- Aldi Lekaj
2025: ATA
2026: ECN Partners - Arben Oshafi
2025: B2Balkan.com
2026: B2balkan - Bora Selenica
2025: Pigi
2026: Pigi: Edukim Financiar për fëmijët - Emil Andoni
2025: e-Health Albania
2026: eDoktor - Endri Burrja
2025: MedWallet
2026: MedWallet - Erion Çuni
2025: Komuniteti
2026: Komuniteti - Fatjon Gjata
2025: Brisk Square
2026: Outerlynx - Genti Selenica
2025: Baboon atWork
2026: atWorkapp - Gregor Andoni
2025: GrAnD Industries
2026: GrAnD Creative Industries - Jona Shaba
2025: VLEPA
2026: VLEPA - Leonard Boduri
2025: Autokorrektori i Gjuhës Shqipe
2026: Autokorrektori i Gjuhës Shqipe - Meivis Struga
2025: EKOFUNGI Albania
2026: ESI Projects - Rio Sherri
2025: Axiom Breach
2026: Axiom Breach shpk - Rudina Hoxha
2025: Local E-Draughts
2026: Local E-Draughts - Sokol Qeraxhiu
2025: Tetra Pro
2026: Tetra PRO
Në disa raste, përsëritja është edhe më e dukshme pasi projekti është rikthyer praktikisht me të njëjtin emërtim. Ndërsa në raste të tjera janë bërë ndryshime në emër, por subjektet vijojnë të identifikohen përmes të njëjtit NIPT.
Emri ndryshon, fondi rikthehet
Një nga rastet është Aldi Lekaj, i cili në vitin 2025 përfitoi 6.5 milionë lekë me projektin “ATA”. Një vit më pas ai shfaqet sërish në listën e fituesve, këtë herë me “ECN Partners”, duke përfituar 3.5 milionë lekë.
Edhe Emil Andoni është përfitues i përsëritur. Në vitin 2025 ai mori 3.2 milionë lekë për “e-Health Albania”, ndërsa në vitin 2026 rikthehet me projektin “eDoktor” dhe përfiton 4.85 milionë lekë. Në këtë rast, NIPT-i M42419022T rezulton i njëjtë.
Ndryshime në emërtim janë bërë edhe në raste të tjera. Gregor Andoni kalon nga “GrAnD Industries” në “GrAnD Creative Industries”, ndërsa Meivis Struga nga “EKOFUNGI Albania” në “ESI Projects”.
Në disa raste nuk ka pasur praktikisht asnjë ndryshim në emërtimin e projektit. Endri Burrja rikthehet me “MedWallet”, Erion Çuni me “Komuniteti”, Jona Shaba me “VLEPA”, Leonard Boduri me “Autokorrektori i Gjuhës Shqipe”, Rudina Hoxha me “Local E-Draughts” dhe Sokol Qeraxhiu me “Tetra PRO”.
Edhe përfitues të tjerë kanë ruajtur lidhjen me projektet e një viti më parë, pavarësisht ndryshimeve në emërtim. Arben Oshafi shfaqet me “B2balkan”, Fatjon Gjata me “Outerlynx”, Genti Selenica me “atWorkapp”, ndërsa Rio Sherri me “Axiom Breach shpk”.
Nga një fazë në tjetrën, drejt fondeve më të mëdha
Përsëritja e përfituesve nuk përbën në vetvete provë për ndonjë shkelje ligjore. Megjithatë, ajo ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon skema e financimit dhe sa hapësirë mbetet për aplikantët që kërkojnë të hyjnë për herë të parë në të.
Skema e granteve parashikon tre nivele financimi: F1, për idetë në fazën fillestare, me financim deri në 1.5 milionë lekë; F2, për fazën e validimit, deri në 4.5 milionë lekë; dhe F3, për fazën e rritjes, me financim deri në 9 milionë lekë.
Në listën e vitit 2026, disa prej përfituesve të përsëritur kanë kaluar në nivele më të larta financimi. “Pigi” i Bora Selenicës, “MedWallet” i Endri Burrjas dhe “Komuniteti” i Erion Çunit kanë kaluar nga F2 në F3.
Por rasti që tërheq më shumë vëmendje është ai i VLEPA-s së Jona Shabës. Projekti, i cili në vitin 2025 ishte financuar në fazën fillestare F1, në vitin 2026 është ngjitur drejtpërdrejt në F3.
Një rritje e tillë mund të jetë rezultat i zhvillimit të projektit, por dokumentet publike nuk japin informacion të mjaftueshëm mbi rezultatet konkrete që kanë justifikuar kalimin në nivele më të larta financimi.
Sa produkte janë zhvilluar? Çfarë objektivash janë përmbushur? Sa përdorues apo klientë janë siguruar? Dhe cilat janë rezultatet që kanë bindur komisionet për të dhënë financime të reja?
Këto janë të dhëna që do të ndihmonin publikun të kuptonte nëse financimet e përsëritura janë rezultat i performancës së projekteve apo i një mekanizmi që favorizon të njëjtët aplikantë.
Rasti i Genti Selenicës dhe rikthimi pas ankimit
Një nga rastet më të diskutueshme është ai i Genti Selenicës.
Në vitin 2025 ai përfitoi 7.2 milionë lekë, rreth 79 mijë euro, me projektin “Baboon atWork”. Në vitin 2026, emri i tij shfaqet sërish si fitues, këtë herë me “atWorkapp”, për një financim prej 6.25 milionë lekësh, ose rreth 68 mijë euro.
Por përfitimi nuk kufizohet vetëm te aplikimi i tij.
Xheni Maloku, bashkëshortja e Genti Selenicës, është gjithashtu fituese e Grantit 2026 me projektin “Marigo Fashion Marketplace”, duke përfituar 5.1 milionë lekë. Sipas të dhënave të bëra publike, ajo kishte përfituar edhe më herët, me një financim prej rreth 38 mijë eurosh në vitin 2024.
Sipas përllogaritjeve të publikuara, financimet e marra nga çifti Selenica-Maloku në vite arrijnë në rreth 240 mijë euro.
Një tjetër element që kërkon shpjegim lidhet me vetë listën e vitit 2026. Genti Selenica nuk rezultonte në listën paraprake të fituesve. Emri i tij u shfaq në dokumentin përfundimtar pas procesit të ankimeve, duke përfituar më pas rreth 68 mijë euro.
Ky ndryshim ngre një seri pyetjesh të drejtpërdrejta: Sa pikë kishte marrë fillimisht aplikimi? Sa pikë mori pas ankimit? Çfarë argumentesh u përdorën për ndryshimin e rezultatit dhe cili komision e mori vendimin?
Publikimi i pikëve para dhe pas ankimit do të ishte një mënyrë konkrete për të garantuar transparencën e procesit dhe për t’i dhënë fund dyshimeve mbi mënyrën e përzgjedhjes.
Lista ndryshoi, por pyetjet mbeten
Publikimi i listës përfundimtare erdhi pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe diskutimesh publike mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve të Startup Albania.
Disa emra që ishin kontestuar më herët nuk figurojnë më në dokumentin përfundimtar, ndërsa procesi i ankimeve ka sjellë edhe përfitues të rinj.
Por krahasimi i listave të vitit 2025 dhe 2026 tregon se 15 persona janë rikthyer si fitues, duke marrë financime të tjera nga një fond që synon të mbështesë zhvillimin e startup-eve dhe ideve të reja.
Kjo nuk mjafton për të provuar një shkelje, por mjafton për të ngritur një debat të fortë mbi transparencën, kriteret e vlerësimit dhe mënyrën se si shpërndahen fondet publike.
Nëse objektivi i skemës është nxitja e inovacionit dhe krijimi i mundësive për ide të reja, publiku ka të drejtë të dijë se çfarë rezultatesh kanë prodhuar financimet e mëparshme dhe pse të njëjtët aplikantë konsiderohen sërish më konkurrues se qindra ide të tjera.
Përgjegjësia për të dhënë këto përgjigje bie mbi institucionet që administrojnë skemën dhe drejtuesit e saj. Sa më të plota të jenë të dhënat mbi pikët, kriteret, vlerësimet dhe rezultatet e projekteve, aq më pak hapësirë do të mbetet për dyshime mbi mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



