Agasi në Drejtorinë e Policisë Tiranë në pranga, me tuta e shapka
Kanë dalë pamjet e para nga arrestimi i biznesmenit Ergys Agasi, i cili u ndalua mbrëmjen e kësaj të mërkure në Durrës.
Në video shihet momenti kur Agasi shoqërohet nën masa të forta sigurie dhe futet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
I rrethuar nga efektivë të shumtë të policisë, Agasi shfaqet me pranga në duar, i veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra. Ai ngjit shkallët drejt ambienteve të policisë, ndërsa efektivët e shoqërojnë nga të dyja anët.
Arrestimi i Ergys Agasit u krye pranë rrugës së Plepave në Durrës, ku biznesmeni ndodhej si pasagjer në një automjet që drejtohej nga ish-efektivi i policisë Uljan Shpataraku. Edhe Shpataraku ishte shpallur në kërkim nga policia.
Agasi ishte në kërkim që prej dhjetorit 2025, kur Prokuroria e Posaçme lëshoi urdhër-arrestin ndaj tij në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Sipas hetimeve të SPAK, Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiraj dyshohen për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, që sipas akuzës lidhet me manipulimin e procedurave të tenderave të AKSHI-t.
Në kuadër të së njëjtës dosje, hetimet kanë përfshirë edhe dyshime për përdorim të dhunës dhe pengmarrje.
Ndërkohë, Uljan Shpataraku ishte shpallur në kërkim më 6 gusht të këtij viti. Sipas policisë, ai dyshohet se pas një konflikti në një lokal në Dhërmi ka kërcënuar me armë kamarierin dhe administratorin e subjektit.
Arrestimi i Agasit pritet të sjellë zhvillime të reja në hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t, ndërsa tashmë biznesmeni ndodhet në ambientet e policisë në pritje të procedurave të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



