E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet Agron Cena nga Krimi Ekonomik i Tiranës
Lajme

Arrestohet Agron Cena nga Krimi Ekonomik i Tiranës

Vodhi 100 mijë euro tek exchange në emër të Bashkim Ulajt

Në kuadër të operacionit “Shuma”, Krimi Ekonomik i Tiranës ka arrestuar pasditen e djeshme në Fushë-Krujë shtetasin Agron Cena, i dyshuar për vjedhjen e një shume prej rreth 100 mijë eurosh në një pikë exchange, duke përdorur emrin e biznesmenit Bashkim Ulaj.

Operacioni është zhvilluar nga strukturat e Krimit Ekonomik të Tiranës që kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e Cenes në Fushë-Krujë.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një automjet tip Range Rover, i cili rezulton të ishte në përdorim të Agron Cenës.

Si u zbulua ngjarja

Ngjarja u zbulua pas kallëzimit të një 70-vjeçari, pronar i Exchange-it, i cili ra pre e mashtrimit pasi u kontaktua nga persona që iu prezantuan si një i njohur i tij.

Sipas hetimeve të Policisë së Tiranës, autorët përdorën edhe një videocall, gjatë së cilës përmes inteligjencës artificiale manipuluan pamjen e personit në telefon, duke i shfaqur 70-vjeçarit fytyrën e biznesmenit Bashkim Ulaj, me të cilin ai kishte njohje.

Gjatë komunikimit, autorët i kërkuan kambistit që t’u jepte 100 mijë euro, duke pretenduar se shuma do t’i kthehej brenda pak orësh.

I bindur se kërkesa vinte nga vetë biznesmeni, 70-vjeçari dorëzoi paratë te personi që u paraqit në subjektin e tij për t’i marrë shumën.

Por, pasi kaloi afati i premtuar dhe paratë nuk u kthyen, kambisti kontaktoi Bashkim Ulajn. Biznesmeni mohoi të kishte kërkuar para apo të kishte dërguar ndonjë person për t’i marrë ato.

Në këto kushte, 70-vjeçari iu drejtua Policisë së Tiranës, duke vënë në lëvizje specialistët e Krimit Ekonomik.

Hetuesit nisën verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe mundën të gjurmonin personin që shkoi në Exchange, si dhe automjetin me të cilin ai u largua. Makina rezultoi se ishte marrë me qira, çka ndihmoi në gjurmimin e autorëve dhe zbardhjen e skemës.

Policia arrestoi Brian Sericën, 31 vjeç, dhe Skerdi Metën, 23 vjeç, ndërsa shpalli në kërkim Rigels Hysenin, 31-vjeçar, ndërsa dje pasdite u arrestua dhe Agron Cena.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.