Dhunohet drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku
Dyshime të forta lidhur me largimin nga puna të bashkëshortes së Endri Çopjas
Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, është dhunuar në qendër të qytetit gjatë paradites së të dielës, më 6 shtator. Ngjarja ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme për zyrtarin, ndërsa Policia e Elbasanit ka nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Sipas të dhënave paraprake, Tabaku është përplasur me dy persona, të identifikuar si Endri Çopja dhe Horgito Peqini. Dyshohet se gjatë konfliktit janë përdorur edhe sende të forta, ndërsa pas dhunës drejtori i Ujësjellësit ka marrë ndihmë mjekësore.
Nga dokumentacioni mjekësor rezulton se Luan Tabaku ka pësuar dy fraktura në kokë, çka tregon për shkallën e dëmtimeve të shkaktuara gjatë përplasjes.
Tabaku nuk kallëzoi, policia nisi hetimet me iniciativë
Pavarësisht dëmtimeve, Luan Tabaku nuk ka depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar policinë të nisë hetimet kryesisht, pasi ngjarja është parë nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh.
Burimet bëjnë me dije se po verifikohen të gjitha rrethanat që i paraprinë konfliktit, mënyra se si ka nisur përplasja dhe roli i personave të përfshirë.
Një nga pistat që po shqyrtohet për motivin lidhet me një konflikt të dyshuar për punësimin.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Tabaku kishte marrë më herët një vendim për largimin nga puna, në Bashkinë e Elbasanit, të bashkëshortes së Endri Çopjas. Ky vendim dyshohet se mund të ketë qenë shkak për përplasjen mes palëve.
Përplasja dhe emrat që dalin në hetim
Ngjarja merr një tjetër peshë për shkak të historikut të personave që dyshohet se janë përfshirë në konflikt.
Endri Çopja është arrestuar më herët nga policia, nën dyshimin për përfshirje në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e regjistruar më 13 janar 2018 në Shkodër.
Çopja u arrestua në atë kohë si person i dyshuar për ngjarjen, por më pas u lirua, pasi autoritetet nuk arritën të siguronin prova të mjaftueshme që ta mbanin të lidhur me atentatin.
Në krahun tjetër, në ngjarjen e fundit përmendet edhe Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur në Elbasan me nofkën “Mandela i Elbasanit”.
Peqini, sipas të dhënave të bëra publike, ishte liruar vetëm pak kohë më parë nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.
Pikërisht për shkak të këtij historiku, hetuesit po verifikojnë me kujdes rrethanat e përplasjes dhe nëse konflikti ka qenë një episod i izoluar apo lidhet me çështje të tjera.
Luan Tabaku, emër i njohur në Elbasan
Edhe Luan Tabaku nuk është një emër i panjohur për autoritetet dhe opinionin publik në Elbasan.
Prej kohësh, emri i tij është përmendur si një person i afërt me Suel Çelën. Në prill të vitit 2025, Tabakut iu ushtruan kontrolle nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Disa muaj më vonë, ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të verifikimeve ku dyshohej se kishte favorizuar Suel Çelën në procedura të tenderëve publikë.
Megjithatë, këto janë çështje të ndara nga dhuna e ndodhur më 6 shtator dhe për to nuk ka një lidhje të konfirmuar me sulmin ndaj tij.
Ende asnjë i ndaluar
Deri në këto momente, nuk ka asnjë person të ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë.
Policia vijon mbledhjen e dëshmive dhe verifikimin e rrethanave të konfliktit, ndërsa dëshmitë e qytetarëve që kanë qenë të pranishëm në momentin e përplasjes pritet të ndihmojnë në dokumentimin e dinamikës së ngjarjes.
Hetimet pritet të përcaktojnë edhe motivin e saktë të sulmit, ndërsa pista e konfliktit të dyshuar për punësimin mbetet një nga versionet që po verifikohet nga autoritetet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



