E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Valdrin Pjetri drejt drejtimit të “super-agjencisë” së pronave
Lajme

Valdrin Pjetri drejt drejtimit të “super-agjencisë” së pronave

Qeveria shqiptare po përgatit një projektligj që pritet të sjellë një ndryshim të thellë në mënyrën se si administrohet dhe trajtohet çështja e pronave në Shqipëri. Në qendër të nismës është bashkimi i dy institucioneve që kanë përgjegjësi kryesore në këtë fushë, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP).

Sipas projektit, të dyja strukturat do të shkrihen në një institucion të vetëm, i cili pritet të funksionojë me emrin Agjencia Shtetërore e Pronave (ASHP).

Krijimi i kësaj strukture do të përqendrojë nën një administrim të vetëm dy prej proceseve më të ndërlikuara dhe më të debatueshme të tranzicionit shqiptar: regjistrimin e titujve të pronësisë, si dhe procedurat që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave.

Por krahas reformës institucionale, në prapaskenë po qarkullon edhe emri i personit që pritet të marrë drejtimin e këtij institucioni të ri.

Sipas burimeve, në krye të Agjencisë Shtetërore të Pronave po projektohet Valdrin Pjetri, i cili aktualisht drejton Agjencinë e Trajtimit të Pronës, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Profili i Pjetrit është bërë më i pranishëm në hapësirën publike gjatë javëve të fundit. Ministria e Drejtësisë ka promovuar në rrjetet sociale punën e tij në drejtimin e ATP-së, ndërsa vetë Pjetri është shfaqur në disa intervista televizive ku ka folur për ecurinë e procesit të kompensimit të pronarëve.

Kjo dalje më e shpeshtë publike është interpretuar si një përgatitje e terrenit për një rol më të rëndësishëm në administrimin e çështjes së pronave, nëse projektligji dhe struktura e re marrin formën përfundimtare.

Për Pjetrin, një emër i njohur në politikën dhe administratën publike, kjo do të përbënte një rikthim në nivelet e larta të drejtimit shtetëror pas një periudhe të gjatë të shoqëruar me debatet mbi të kaluarën e tij ligjore.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, Pjetri u shpall fitues i Bashkisë Shkodër si kandidat i Partisë Socialiste. Ai, megjithatë, nuk arriti ta merrte zyrtarisht detyrën, pasi dha dorëheqjen përpara betimit, pas publikimit nga Partia Demokratike të dokumenteve që lidhnin emrin e tij me një dënim të marrë në Itali për çështje që kishin të bënin me drogën.

Në atë kohë, Pjetri e sqaroi publikisht situatën, duke deklaruar se bëhej fjalë për një episod që i përkiste periudhës së rinisë së tij, kur ishte student. Sipas shpjegimit të tij, çështja lidhej me persona me të cilët bashkëjetonte dhe ndante shpenzimet e qirasë së banesës.

Ai ka deklaruar se ishte dënuar në Itali për disa cigare kanabisi, pa pasur dijeni për procedimin dhe pa mundur të ushtronte të drejtën e mbrojtjes në atë proces.

Pas këtij episodi, Pjetri ndoqi rrugën ligjore për të sqaruar statusin e tij dhe për të hequr pengesat që mund t’i krijoheshin në raport me funksionet publike. Sipas qëndrimit të tij, në përfundim të këtyre procedurave u konstatua se kufizimet e parashikuara nga ligji i dekriminalizimit nuk aplikoheshin ndaj tij dhe se nuk ekzistonte një pengesë ligjore për ushtrimin e detyrave shtetërore.

Më pas, ai u rikthye në administratën publike duke marrë drejtimin e Agjencisë së Trajtimit të Pronës.

Tashmë, nëse projekti i qeverisë konkretizohet sipas skemës së parashikuar, Pjetri pritet të jetë në krye të një strukture edhe më të fuqishme, e cila do të bashkojë kompetencat e Kadastrës dhe Trajtimit të Pronës.

Agjencia e re do të ketë përballë një prej problematikave më të vjetra të Shqipërisë postkomuniste, atë të pronësisë, një çështje që prej dekadash ka prodhuar konflikte, procese gjyqësore dhe pasoja të rëndësishme sociale e ekonomike.

Sipas burimeve, Pjetri po projektohet kështu si një nga figurat kryesore të qeverisë në përpjekjen për të adresuar ngërçin e pronave, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë zyrtarisht personi që do të drejtojë Agjencinë Shtetërore të Pronave pas përfundimit të procedurave për krijimin e saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.