Kreu i Policisë, Skënder Hita, uron nisjen e vitit shkollor
“Për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis”
Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Në reagimin e tij, Hita e ka cilësuar fillimin e vitit shkollor si një moment të veçantë, ndërsa ka theksuar se për Policinë e Shtetit nis një përgjegjësi e rëndësishme për garantimin e sigurisë së nxënësve gjatë këtij rrugëtimi.
Sipas kreut të Policisë, ndërsa nxënësit nisin një tjetër etapë në rrugën drejt dijes, institucionet e rendit duhet të kujdesen që kjo periudhë të zhvillohet në një mjedis të sigurt.
Hita u ka bërë thirrje gjithashtu nxënësve që të flasin nëse përballen me shqetësime apo situata që i bëjnë të ndihen të pasigurt, duke nënvizuar rëndësinë e komunikimit me Policinë e Shtetit.
Deklarata e Skënder Hitës
Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër,
Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë. Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit nis një periudhë e re interesi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.
Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë.
Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne.
Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



