Goditet “narkoveliera” me mbi 2 tonë kokainë në Atlantik
mes katër të arrestuarve edhe një shqiptar
Një velierë që transportonte më shumë se dy tonë kokainë është kapur në ujërat e Atlantikut gjatë një operacioni të autoriteteve spanjolle. Katër personat që ndodheshin në bord janë arrestuar, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni u zhvillua nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore i Agjencisë Tatimore spanjolle dhe konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme kundër trafikut të drogës gjatë vitit të fundit.
Sipas medias spanjolle “Atlántico”, personat e arrestuar janë të kombësive të ndryshme. Përveç shtetasit shqiptar, të paktën dy prej tyre raportohet se janë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Veliera u lokalizua dhe u kap rreth 400 milje larg brigjeve të Galicisë. Pas ndërhyrjes, ajo u mor nën kontroll nga autoritetet dhe u tërhoq drejt portit të Vigos nga anija e operacioneve speciale “Petrel I”.
Mjeti lundrues është ankoruar në port ndërmjet anijeve doganore “Petrel I” dhe “Halcón”, ndërsa droga e sekuestruar dhe katër të arrestuarit do t’u vihen në dispozicion autoriteteve gjyqësore.
Hetimi raportohet se kishte nisur në Katalonjë dhe çoi në lokalizimin e velierës gjatë lundrimit në Atlantik. Autoritetet spanjolle nuk kanë bërë ende publike identitetet e të arrestuarve dhe të gjitha detajet e operacionit.
Kjo është veliera e dytë e dyshuar për trafik ndërkombëtar droge që kapet nga “Petrel I” gjatë kësaj vere. Në qershor, një tjetër operacion pranë Ishujve Kanarie përfundoi me sekuestrimin e afro 500 kilogramëve kokainë, të fshehur në kabinat e një mjeti lundrues.
Në atë operacion u përfshinë autoritetet doganore franceze, DEA amerikane, Agjencia Kombëtare kundër Krimit e Britanisë së Madhe dhe Frontex-i, nën koordinimin e Qendrës spanjolle të Inteligjencës kundër Krimit të Organizuar.
Galicia është kthyer muajt e fundit në një nga zonat kryesore të operacioneve kundër trafikut të kokainës. Vetëm gjatë gushtit janë sekuestruar rreth tre tonë drogë në dy operacione të zhvilluara në Muxía dhe A Pobra do Caramiñal.
Përdorimi i të ashtuquajturave “narkoveliera” për transportimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës përmes Atlantikut është një metodë e njohur për autoritetet spanjolle. Gjatë dekadës së fundit, të paktën katër mjete të tilla të kapura në operacione antidrogë janë dërguar në portin e Vigos.
Hetimet vijojnë për të zbardhur itinerarin e velierës, origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe personat apo grupet kriminale që qëndrojnë pas ngarkesës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



