Deklarata e fortë: Prodës iu gjet një snajper super-special në banesë
Berisha për Vlora Hysenin: “I jepte bandave mjetet e survejimit, gjithçka bëhej me urdhër të Ramës”
Kreu i PD-së sulmoi drejtuesen e SHISH dhe deklaroi se zyrtarët e lartë të përfshirë në hetime kanë vepruar, sipas tij, me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Berisha foli edhe për kontrollin në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sërish zhvillimet që lidhen me hetimet e SPAK-ut ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Gjatë një takimi me simpatizantët e PD-së në Vlorë, Berisha e akuzoi Hysenin se ka bashkëpunuar me grupe kriminale, duke pretenduar se ajo u ka vënë në dispozicion mjete për regjistrime, filmime dhe survejim, të blera me paratë e buxhetit të shtetit.
“Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, të një regjimi kriminal. Del se kreu i SHISH që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat tuaja të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD-së foli për kontrollet e kryera në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duke iu referuar pretendimit se gjatë kontrollit është gjetur një armë e tipit snajper.
Berisha e lidhi këtë çështje me akuzat e tij ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, zhvillimet që lidhen me zyrtarë të lartë të shtetit janë kryer nën dijeninë dhe urdhrat e kryeministrit.
“Ish-drejtori i Policisë që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper super special në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë për një person të caktuar. Një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij”, deklaroi Berisha.
Berisha shtoi se, sipas tij, priten të bëhen publike të tjera të dhëna lidhur me këto çështje, ndërsa e cilësoi situatën si një përballje politike me atë që ai e quan “regjim kriminal”.
Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një kohë kur SPAK po zhvillon hetime ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit. Pretendimet e Berishës për përgjegjësinë e kryeministrit Rama dhe personave të përmendur prej tij përbëjnë deklarime politike dhe nuk janë, në vetvete, konstatime gjyqësore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



