Sulmi ndaj gazetares, Iris Luarasi ‘shpërthen’ ndaj Vlora Hysenit
“Gazetarët nuk janë armiq, të hetohet me përparësi nga SPAK”
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar publikisht për përplasjen verbale të ndodhur në hyrje të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, dhe gazetares së kronikës, Klodiana Lala.
Luarasi është zyrtarja e parë nga radhët e mazhorancës që ka marrë publikisht qëndrim lidhur me episodin, duke e cilësuar të papranueshme mënyrën se si, sipas saj, iu drejtua gazetares.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputetja socialiste ka kërkuar që kallëzimi i bërë nga Klodiana Lala pranë Prokurorisë së Posaçme të trajtohet me seriozitet dhe prioritet. Ajo ka kërkuar gjithashtu nga institucionet përgjegjëse që të marrin masa për garantimin e sigurisë së gazetares.
Sipas Luarasit, incidenti ka ndodhur në një moment kur Lala po ushtronte aktivitetin e saj profesional dhe po drejtonte një pyetje që lidhej me një çështje me interes publik.
Deputetja, e cila mban edhe funksionin e zëvendëskryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, e ka lidhur reagimin e saj me nevojën për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e lirisë së medias.
“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GJKKO-së është e papranueshme”, është shprehur Luarasi, duke shtuar se një gazetare që bën një pyetje me interes publik nuk duhet të përballet me deklarata që, sipas saj, cenojnë reputacionin dhe sigurinë e saj.
Luarasi i ka bërë thirrje SPAK-ut që të shqyrtojë me përparësi kallëzimin e gazetares, ndërsa ka kërkuar nga institucionet e tjera përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.
Në reagimin e saj, deputetja socialiste ka theksuar se pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje dhe jo të shoqërohen me forma intimidimi. Ajo e ka cilësuar mbrojtjen e gazetarëve si një përgjegjësi të institucioneve shtetërore dhe një element të rëndësishëm për funksionimin demokratik.
“Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, shkruan Luarasi në përfundim të reagimit të saj.
Reagimi i plotë:
Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GJKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale.
Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.
Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq. #LiriaEShtypit #PressFreedom #SafeJournalists #StopIntimidimitTëGazetarëve
Deklarata vjen në një kohë kur përplasja mes Vlora Hysenit dhe Klodiana Lalës ka sjellë reagime publike dhe zhvillime institucionale, ndërsa vetë gazetarja ka bërë të ditur se i është drejtuar SPAK-ut me kallëzim lidhur me incidentin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



