Dalin fotot e momentit të ekzekutimit të ‘Tanit të Rruzhdiut’ në Sarandë
I dyshuari shfaqet i maskuar dhe i armatosur në pamjet e kamerave të sigurisë. Policia vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.
Janë publikuar pamje të reja që dyshohet se i përkasin autorit të vrasjes së 44-vjeçarit Artan Myrtaj, ngjarje e rëndë e regjistruar pak ditë më parë në Sarandë.
Në fotot e siguruara, personi i dyshuar shfaqet i maskuar, me një skafandër në kokë, ndërsa është i veshur me një xhup të gjelbër dhe pantallona të zeza.
Në duar ai mban dy armë zjarri, ndërsa pamjet po analizohen nga grupi hetimor në kuadër të përpjekjeve për të identifikuar dhe lokalizuar autorin.
Kamerat e sigurisë janë një prej elementëve të rëndësishëm të hetimit, pasi pamjet mund të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të personit të dyshuar para dhe pas atentatit, si dhe në përcaktimin e mënyrës se si është larguar nga vendngjarja.
Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa hetimet po shtrihen edhe në zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes dhe motivit që qëndron pas saj.
Deri në këtë fazë, personi që shfaqet në pamjet e publikuara konsiderohet i dyshuar dhe jo autor i provuar me vendim gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





