Drama e emigrantit, zbulon se dikush tjetër i kishte marrë identitetin
Një emigrant nga Fieri, i larguar drejt Italisë që prej vitit 1991, është përballur me një situatë të pazakontë pasi zbuloi se të dhënat e tij personale ishin përdorur nga një person tjetër.
Bëhet fjalë për Martin Sakon, i cili mësoi në vitin 2025 se identiteti i tij ishte përdorur pa dijeninë e tij. Problemi u evidentua kur ai tentoi të pajisej me dokumentet shqiptare, të nevojshme për procedurat që lidhen me pronën e tij në Fier.
Sipas denoncimit të trajtuar nga emisioni “Stop”, personi që dyshohet se kishte përdorur të dhënat e Sakos jeton në Orikum. Sipas informacioneve të siguruara nga emisioni, ai kishte udhëtuar edhe jashtë vendit, konkretisht në Itali dhe Angli, duke përdorur dokumente me të dhënat e Martin Sakos.
Pasi konstatoi situatën, Sako iu drejtua Policisë së Fierit dhe Prokurorisë, duke bërë kallëzim për rastin. Megjithatë, sipas tij, edhe pas rreth një viti çështja nuk kishte marrë një zgjidhje.
Në këtë situatë, Gjendja Civile në Fier nuk mund të ndërhynte pa një urdhër nga Prokuroria, ndërsa nga kjo e fundit, sipas denoncimit, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim konkret për zgjidhjen e problemit.
Për të ndjekur nga afër rastin, gazetari i emisionit “Stop” e shoqëroi Martin Sakon në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Çështja iu paraqit drejtuesit të institucionit, Geron Ibrahimi.
Pas ndërhyrjes së strukturës së posaçme që merret me problematika të kësaj natyre, situata u zgjidh. Martin Sako arriti të aplikojë për dokumentet e tij shqiptare dhe në përfundim u pajis me kartë identiteti dhe pasaportë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



