Sfida Shqipëri-Bjellorusi, Policia blindon Tiranën
Rrugët që bllokohen ditën e sotme
Policia e Shtetit ka marrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të fluksit të tifozëve dhe masave të sigurisë, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.
Rrugët që do të bllokohen
Sipas Policisë, kufizimet do të aplikohen në këto akse:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, ku do të lejohet vetëm kalimi i mjeteve të autorizuara nga FSHF-ja;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.
Gjithashtu, te sheshi “Willson”, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Kontrollet e tifozëve
Policia njofton se tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara apo të rrezikshme.
Në ambientet e stadiumit nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve apo produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta apo të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.
Policia u kërkon tifozëve të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi për shkak të fluksit të madh, para fillimit të ndeshjes mund të krijohen vonesa që mund t’u pamundësojnë hyrjen në stadium.
Qindra efektivë në terren
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të kujdesen për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Efektivët do t’u ofrojnë gjithashtu tifozëve ndihmë dhe informacion në rast nevoje, me synim që ndeshja Shqipëri-Bjellorusi të përmbyllet pa incidente.
Policia thekson se plani i masave është hartuar duke u bazuar edhe në përvojën e aktiviteteve ndërkombëtare të mëparshme, me qëllim menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike dhe mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv.
Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi do të zhvillohet sonte në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



