Po transportonin emigrantë ilegal, dy mjete përplasin patrullën e policisë
Dy persona janë shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar penalisht pas një operacioni policor për transportimin e 15 emigrantëve të paligjshëm në Korçë.
Operacioni nisi në fshatin Kapshticë të Devollit dhe përfundoi në Gramsh, ndërsa në qendër të aksionit ishin dy automjete tip Audi Q7.
Sipas informacioneve paraprake, shërbimet e policisë kanë konstatuar dy automjetet pranë fshatit Kapshticë, ku dyshohet se drejtuesit kishin marrë një grup emigrantësh të paligjshëm.
Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të mjeteve, pasi drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit për të ndaluar.
Gjatë ndjekjes, drejtuesit e dy automjeteve kanë lënë pranë Lozhanit rreth 15 emigrantë, të cilët më pas janë larguar drejt Gramshit.
Në Gramsh, dy automjetet janë përballur me një postbllok policie. Sipas policisë, drejtuesit kanë përplasur dy automjete patrullimi, duke rrezikuar edhe jetën e punonjësve të policisë.
Pavarësisht përplasjes, drejtuesit kanë vijuar rrugën, ndërsa dy automjetet Audi Q7 janë gjetur më pas të braktisura në dy fshatra të Gramshit.
Ndërkohë, 15 emigrantët janë gjetur të fshehur në një përrua pranë fshatit Lozhan të Maliqit.
Policia ka identifikuar dy drejtuesit e mjeteve dhe i ka shpallur në kërkim, ndërsa një person i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar edhe dy automjetet që dyshohet se përdoreshin për transportimin e emigrantëve drejt Tiranës.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



