Azgan Haklaj ndalohet në kufirin e Bllatës: Je rrezik për sigurinë kombëtare
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj, është ndaluar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Bllatës, në Dibër, teksa po udhëtonte drejt Shkupit.
Lajmin për ndalimin e tij e ka bërë të ditur vetë Haklaj, i cili e ka rishpërndarë informacionin në profilin e tij në Facebook.
Sipas burimeve, Haklaj është ndaluar nga struktura e sigurisë që raporton pranë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Mësohet se gjatë ndalimit atij i është komunikuar se konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare të vendit.
Për situatën është vënë në dijeni edhe Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut.
Në momentin e ndalimit, Azgan Haklaj udhëtonte drejt Shkupit së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhiu. Të dy kishin si destinacion kryeqytetin maqedonas, ku pritet të zhvillohet një marsh protestues lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndalimi i ish-deputetit shqiptar ka ndodhur në një moment kur në Shkup pritet mobilizim qytetar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



