I kërkuar nga Interpol Manchester, 26-vjeçarit i sekuestrohet ‘Benzi’ luksoz
Një automjet luksoz i markës “Benz”, i prodhuar në vitet e fundit, është sekuestruar nga Policia e Fierit pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Manchester.
Automjeti u ndalua për kontroll nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të kontrolleve që po zhvillohen për verifikimin e burimit të të ardhurave të përdorura për blerjen e automjeteve luksoze.
Gjatë kontrollit dhe verifikimit të të dhënave të automjetit, efektivët konstatuan se mjeti rezultonte i kërkuar nga autoritetet britanike përmes Interpol Manchester. Pas këtij konstatimi, automjeti u sekuestrua si provë materiale.
Për rastin është proceduar në gjendje të lirë shtetasi E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër. Ndaj tij kanë nisur procedurat për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Materialet e përpiluara nga policia i janë referuar Prokurorisë së Fierit, e cila do të vijojë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe operacionet për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, përfshirë trafikimin e mjeteve motorike dhe rastet e armëmbajtjes pa leje, do të vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



