Këta janë të rinjtë që tentuan të mashtrojnë Armand Dukën
Kreut të FSHF-së iu prezantuan në emrë të Taulant Ballës
Janë siguruar fotot e dy të rinjve të arrestuar, të cilët dyshohet se tentuan të përfitonin 100 mijë euro nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, përmes një skeme mashtrimi.
Të arrestuarit janë Edison Korra, 24 vjeç, dhe Orest Balla, 23 vjeç. Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, ata përdorën emrin e ministrit Taulant Balla për të krijuar bindjen se komunikimi vinte nga një zyrtar i lartë.

Komunikimi me Dukën dyshohet se është zhvilluar përmes aplikacionit “Signal”. Personat që qëndronin pas mesazheve pretendohet se u prezantuan si Taulant Balla dhe i kërkuan kreut të FSHF-së një shumë prej 100 mijë eurosh.
Në fazën e parë, sipas burimeve nga grupi hetimor, kërkesa ishte që paratë të transferoheshin në formën e kriptomonedhave.
Duka dyshoi për skemën dhe vendosi t’ia referonte rastin Policisë së Shtetit. Pas denoncimit nisi organizimi i një operacioni të kontrolluar, me përfshirjen e agjentëve të infiltruar.
Gjatë komunikimeve të mëtejshme, Duka u ka bërë të ditur personave që e kontaktonin se nuk merrej me çështje që lidhen me kriptomonedhat dhe i ka orientuar drejt djalit të tij.
Kjo situatë u përdor nga hetuesit për të vijuar operacionin. Një agjent i infiltruar mori rolin e djalit të Dukës dhe vijoi komunikimin me dy të dyshuarit.
Sipas skenarit të operacionit, u bë e qartë se shuma nuk do të dorëzohej përmes kriptomonedhave, por fizikisht dhe në para cash.
Pas komunikimeve, palët dyshohet se përcaktuan edhe mënyrën e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh.
Takimi u zhvillua në Elbasan, qytet ku banonin dy të rinjtë. Në momentin kur u krye dorëzimi i parave, ndërhyri policia dhe Korra e Balla u arrestuan në flagrancë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e skemës dhe për të përcaktuar nëse dy të arrestuarit kanë vepruar të vetëm apo kanë pasur persona të tjerë që i kanë udhëzuar.

Pas arrestimit, sipas burimeve hetimore, dy të rinjtë nuk kanë dhënë të dhëna të hollësishme mbi persona të tjerë që mund të kenë lidhje me organizimin e skemës.
Në kuadër të hetimit është ngritur edhe dyshimi për përfshirjen e Florian Gjergjit, por kjo mbetet një pistë që po verifikohet nga autoritetet dhe nuk përbën në këtë fazë një fakt të provuar.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur komunikimet, burimin e të dhënave të përdorura për kontaktimin e Dukës dhe rolin që mund të ketë pasur secili person në këtë skemë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



