Grabitën makina në disa qytete, pranga dy të rinjve
Një grup i dyshuar për një seri vjedhjesh automjetesh në disa qytete të vendit është goditur nga Policia e Kavajës, në kuadër të operacionit të koduar “Cooperation”.
Në përfundim të hetimeve janë arrestuar L. R., 37 vjeç, dhe A. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas Policisë, dy personat kishin precedentë të mëparshëm penalë dhe ishin shpallur në kërkim pas një vjedhjeje të ndodhur më 24 shtator në Kavajë.
Hetuesit dyshojnë se dy të arrestuarit kanë vepruar në bashkëpunim gjatë muajit shtator dhe se kanë lidhje me të paktën gjashtë episode vjedhjesh në qytete të ndryshme.
Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës.
Sipas të dhënave të bëra publike nga uniformat blu, dy të dyshuarit u lokalizuan duke lëvizur me një automjet, të cilit iu dha urdhër për të ndaluar. Ata nuk iu bindën sinjalizimit të policisë dhe tentuan të vijonin lëvizjen.
Kontrollet zbuluan se automjeti me të cilin po udhëtonin, i pajisur me targa të huaja, rezultonte i vjedhur.
Nga hetimi janë dokumentuar deri tani disa episode konkrete. Në Durrës, dyshohet se L. R. dhe A. H. kanë vjedhur tre automjete, ndërsa në Tiranë dyshohet se kanë marrë edhe dy automjete të tjera.
Në një prej rasteve të regjistruara në kryeqytet, pronari i automjetit dyshohet se është kërcënuar me thikë gjatë grabitjes.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një tjetër episod që lidhet me Bulqizën. Sipas Policisë, më 17 shtator, A. H. dyshohet se ka vjedhur me dhunë paratë që përbënin xhiron ditore të një pike karburanti.
Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e 24 shtatorit në Kavajë, Policia thotë se dy të arrestuarit dyshohet se kishin vjedhur një automjet dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e dy personave të tjerë, L. D. dhe B. S., të cilët janë arrestuar më herët pasi dyshohet se kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë.
Gjatë operacionit dhe hetimeve të zhvilluara për dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, Policia ka sekuestruar 4 automjete, 3 targa, 3 çelësa automjetesh, 4 telefona celularë, si dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë vjedhjeve.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar gjithashtu mjete që dyshohet se shërbenin për hapjen e automjeteve.
Përtej gjashtë rasteve të dokumentuara deri tani, hetuesit po vijojnë verifikimet për të përcaktuar nëse dy të arrestuarit mund të kenë lidhje edhe me vjedhje të tjera të automjeteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Të gjitha dyshimet e ngritura ndaj personave të arrestuar mbeten objekt i hetimit dhe duhet të vlerësohen në vijim nga organet e drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



