E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zjarret në Kombinat dhe Prush, arrestohen dy persona
Lajme

Zjarret në Kombinat dhe Prush, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen si autorë të dy rasteve të zjarrvënies të regjistruara në zonën e Kombinatit dhe në fshatin Prush.

Operacioni është kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në kuadër të kontrolleve dhe veprimeve të ndërmarra për parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e personave përgjegjës për to.

I arrestuari i parë është E. K., 49 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin disa mbeturinave në sheshin “Garibaldi”, në zonën e Kombinatit.

Sipas policisë, 49-vjeçari ka tentuar të largohet në momentin që ka konstatuar praninë e shërbimeve policore. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i kanë gjetur një thikë, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Nga verifikimet e kryera pas ndalimit, rezultoi gjithashtu se 49-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për dy vepra penale që lidhen me vjedhjen dhe posedimin e kundërligjshëm të armëve të ftohta.

Zjarr në Prush, digjen pisha dhe bimësi

Në pranga ka rënë edhe Sh. H., i dyshuar për një zjarr të ndezur në një sipërfaqe toke në pronësi të tij, në fshatin Prush.

Sipas të dhënave të policisë, flakët janë përhapur përtej sipërfaqes ku dyshohet se është ndezur zjarri, duke shkaktuar dëmtime në zona kodrinore të fshatit.

Si pasojë janë përfshirë nga zjarri pisha, bimësi e egër dhe pemë të tjera.

Policia thotë se të dy rastet janë dokumentuar gjatë veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga efektivët e Komisariatit Nr. 6.

Materialet procedurale për të dyja çështjet i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Policia apelon për kujdes me zjarret

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke paralajmëruar për pasojat që mund të kenë këto raste në jetën, shëndetin dhe pronën e njerëzve.

Në mënyrë të veçantë, apeli i drejtohet personave që djegin mbetje ose përdorin zjarrin për pastrimin e sipërfaqeve të tokës.

Sipas policisë, djegia e mbetjeve apo e bimësisë mund të çojë në përhapjen e pakontrolluar të flakëve dhe të sjellë pasoja të parashikuara nga legjislacioni penal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.