SPAK shtyn me 3 muaj hetimet për Aeroportin e Vlorës
SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë hetimet për procedurën koncesionare të Aeroportit të Vlorës, një dosje që prej kohësh është kthyer në një nga përplasjet më të forta mes biznesit privat dhe qeverisë shqiptare.
Hetimet janë shtyrë deri më 23 nëntor 2026, pasi prokurorët e posaçëm kanë vlerësuar se nevojiten veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të çështjes.
Në fokusin e dosjes janë shtatë anëtarë të komisionit përgjegjës për dhënien e koncesionit, të cilët dyshohen për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Dyshimet e ngritura nga SPAK lidhen me mënyrën se si është zhvilluar procedura dhe me mundësinë që konsorciumi që përfundoi fitues të ishte favorizuar që në fazat e konkurrimit.
Në dokumentet e mëparshme të bëra publike nga dosja hetimore thuhet se ekzistojnë dyshime se anëtarët e komisionit, duke vepruar në bashkëpunim, kanë favorizuar bashkimin e kompanive Mabco Construction, Yda Group dhe 2A GROUP gjatë procesit të kualifikimit dhe shpalljes së fituesit të koncesionit.
Hetimi i SPAK-ut është regjistruar pas kallëzimit të paraqitur nga kompania Al-De Corporation LTD, përmes shtetasit Aldi Çeli.
Por përplasja rreth Aeroportit të Vlorës nuk është kufizuar vetëm te procedura e koncesionit. Konflikti është shtrirë edhe mes palëve private të përfshira në projekt, veçanërisht mes biznesmenit Behgjet Pacolli, përmes Mabco, dhe Valon Ademit, të lidhur me 2A GROUP.
Situata u përshkallëzua më tej deri në pikën kur qeveria shqiptare njoftoi nisjen e procedurave për prishjen e kontratës koncesionare të Aeroportit të Vlorës.
Përplasja tashmë ka kaluar edhe në një tjetër front juridik, atë të arbitrazhit ndërkombëtar, ndërsa paralelisht SPAK vijon hetimet për mënyrën se si u zhvillua procedura që çoi në dhënien e koncesionit.
Zgjatja e afatit të hetimit deri në nëntor e mban kështu dosjen e Aeroportit të Vlorës në fokusin e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa priten veprime të tjera për të përcaktuar nëse dyshimet e ngritura gjatë hetimit do të konkretizohen në përgjegjësi penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



