SPAK pezullon hetimet për dosjen “Tropoja”
Prokuroria e Posaçme ka pezulluar hetimet për kallëzimin e bërë nga Ajshe dhe Muharrem Haklaj lidhur me vrasjet e katër vëllezërve Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj, një prej historive më të rënda të përplasjeve të armatosura në Tropojë.
Kallëzimi, i depozituar në SPAK në korrik të vitit 2021, përfshin ndër të tjera edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin kallëzuesit e akuzojnë se ka urdhëruar vrasjet e katër vëllezërve.
Pas një sërë veprimesh hetimore dhe marrjes në pyetje të disa personave, prokurorja Elida Kaçkini ka vendosur pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e materialeve pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme dhe gjetjen e provave.
Vendimi, megjithatë, nuk është pranuar nga familja Haklaj.
Muharrem Haklaj dhe Ajshe Haklaj i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me ankim, duke kërkuar vijimin e hetimeve mbi kallëzimin e bërë pesë vite më parë në SPAK. Ankimi pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.
Çfarë pretendohet në kallëzimin e familjes Haklaj?
Në materialin e depozituar në SPAK, Ajshe dhe Muharrem Haklaj kanë ngritur akuza ndaj Sali Berishës dhe 15 personave të tjerë.
Sipas kallëzuesve, këta persona kanë qenë pjesë e një grupi të armatosur dhe të një organizate kriminale që, sipas pretendimeve të tyre, vepronte nën urdhrat e ish-kryeministrit.
Në kallëzim janë ngritur akuza për vrasje me paramendim, krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, kryerje të krimeve në kuadër të tyre, si dhe akte terroriste.
Familja Haklaj ka pretenduar gjithashtu se dispononte materiale që mund të ndihmonin në zbardhjen e vrasjeve. Përfaqësuesi ligjor i familjes, avokati Idajet Beqiri, ka deklaruar se në dispozicion të hetimit mund të ishin prova, dokumente, materiale filmike dhe dëshmi.
Vetë Ajshe Haklaj, Muharrem Haklaj dhe familjarë të tjerë kanë dëshmuar për disa orë në SPAK, duke paraqitur pretendimet e tyre lidhur me ngjarjet dhe personat që ata konsiderojnë përgjegjës.
Megjithatë, pas veprimeve hetimore të kryera dhe marrjes në pyetje të disa personave, prokuroria ka arritur në përfundimin se çështja duhet të pezullohet dhe materialet t’u referohen institucioneve të tjera për veprime të mëtejshme hetimore.
Katër vrasjet që tronditën Tropojën
Historia e katër vëllezërve Haklaj është e lidhur me një periudhë të gjatë konfliktesh dhe përplasjesh të armatosura në Tropojë.
Shkëlqim Haklaj ishte i pari nga katër vëllezërit që u vra. Ai u ekzekutua më 5 janar 1998, në Qafën e Luzhës.
Më pas, më 4 gusht 1999, u vra Halil Haklaj. Në të njëjtin atentat mbeti i plagosur vëllai i tij, Fatmir Haklaj, i cili u vra rreth tre muaj më vonë, më 4 nëntor 1999, në Bujan.
I fundit ishte Ylli Haklaj, i cili u vra më 3 dhjetor 2000, në një atentat me snajper.
Katër vrasjet u shtrinë në një periudhë prej afro tre vitesh dhe ndodhën në një kohë kur Tropoja ishte përfshirë në një seri konfliktesh dhe përplasjesh të armatosura.
Për familjen Haklaj, çështja mbetet ende e pazbardhur. Tashmë beteja për vijimin e hetimeve është zhvendosur në Gjykatën e Posaçme, pas vendimit të SPAK për pezullimin e dosjes.
Vendimi i gjykatës do të përcaktojë nëse hetimet do të vijojnë apo do të mbetet në fuqi pezullimi i vendosur nga prokuroria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



