Ambasadori amerikan Eric Wendt shfaqet krah kreut të SPAK
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, është takuar me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho.
Takimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve shqiptare në luftën kundër kriminalitetit, ndërsa në qendër të diskutimeve kanë qenë krimi transnacional, trafiku i narkotikëve dhe migracioni i paligjshëm.
Përmes një reagimi, Ambasada amerikane në Tiranë thekson se këto fusha janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit Donald Trump.
Sipas Ambasadës, gjatë takimit është diskutuar edhe roli i institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe rëndësia e partneritetit mes dy vendeve në çështjet e sigurisë.
“Lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të Presidentit Donald Trump.
Ambasadori Eric Wendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rolin vendimtar të institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe se si partneriteti ynë kontribuon për një të ardhme më të sigurt e më të begatë për të dy kombet tona”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Takimi vjen në kuadër të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, me fokus te goditja e veprimtarisë kriminale me shtrirje ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



