75-vjeçarja hidhet nga kati i tretë i spitalit të Vlorës dhe humb jetën
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë orëve të natës në Spitalin e Vlorës, ku një paciente rreth 75 vjeç ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i godinës.
E moshuara, me origjinë nga Borshi, ndodhej e shtruar në repartin e kirurgjisë, ndërsa në momentin e ngjarjes në spital ishin edhe familjarë të saj, të cilët po e shoqëronin gjatë qëndrimit në repart.
Pas rënies nga lartësia, 75-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda në trup. Stafi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme, por plagët e marra kanë rezultuar fatale dhe pacientja nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe stafin e spitalit, ndërsa ende nuk janë të qarta rrethanat që e kanë çuar të moshuarën drejt këtij veprimi.
Pas incidentit, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar dinamikën e saj dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi rënia nga kati i tretë i godinës së spitalit.
Hetimet pritet të hedhin dritë edhe mbi momentet para ngjarjes dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndihmojë në sqarimin e plotë të saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



