“O hajdut”, Rama pritet mes tensioneve nga banorët e ish-Uzinës
Vizita e kryeministrit Edi Rama në zonën e ish-Uzinës është shoqëruar me tensione, pasi përballë tij është vendosur sekretari për Reagimin Qytetar në Partinë Demokratike, Erges Eskiu, ndërsa qytetarë të pranishëm kanë protestuar me thirrje kundër kreut të qeverisë.
Rama ndodhej në ambientet e ish-Uzinës, hapësirë që aktualisht përdoret nga kompania “KAYO”, në kuadër të një takimi të prezantuar si mundësi për të dëgjuar nga afër problematikat e banorëve të zonës.
Gjatë takimit, Eskiu i ka përcjellë kryeministrit disa prej shqetësimeve të banorëve, duke vënë në fokus mungesën e ujit të pijshëm. Sipas shqetësimit të ngritur prej tij dhe banorëve, problemi vijon prej rreth 13 vitesh, duke u kthyer në një prej problematikave më të zgjatura për komunitetin.
Situata ka marrë tjetër drejtim kur nga turma kanë nisur thirrjet kundër kryeministrit. “Hajdut” dhe “Rama në burg” kanë qenë ndër sloganet e dëgjuara gjatë momentit të tensionuar.
Pas reagimit të qytetarëve, Rama është larguar nga zona nën shoqërimin e një numri të konsiderueshëm efektivësh të Gardës së Republikës.
Përplasja vjen në një moment kur emri i kompanisë “KAYO” dhe biznesmenit Ron Yeffet është përfshirë në debatin politik dhe në zhvillimet e hetimit të SPAK.
PD: Yeffet dhe kompanitë e lidhura me të kanë përfituar miliona euro
Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta lidhur me marrëdhëniet mes kompanive të lidhura me biznesmenin Ron Yeffet dhe strukturave shtetërore.
Sipas deklarimeve të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, bëhet fjalë për një skemë që, sipas tij, ka sjellë përfitime të konsiderueshme nga fondet publike dhe asetet shtetërore. Berisha pretendon se kompanitë e lidhura me Yeffet kanë përfituar rreth 45 milionë euro nga paratë publike dhe prona shtetërore.
Në qendër të akuzave të opozitës është edhe Shoqëria Timak, ku Yeffet është aksioner. Berisha ka pretenduar se kjo kompani nuk plotësonte kriteret për bashkëpunimin me “KAYO” në fushën e prodhimit të mjeteve dhe pajisjeve ushtarake.
Sipas tij, krijimi dhe funksionimi i kësaj marrëdhënieje është lehtësuar përmes vendimeve dhe ndryshimeve ligjore të ndërmarra nga qeveria Rama.
Berisha ka lidhur gjithashtu me këtë histori edhe Arjeta Pucën, duke iu referuar një daljeje të saj në një podcast të kryeministrit, ku ajo ka folur për aktivitetin e kompanisë dhe prodhimin e mjeteve ushtarake, përfshirë autoblindat.
Opozita pretendon se pas kësaj janë ndërmarrë hapa institucionalë që kanë favorizuar ndërtimin e një skeme financiare dhe biznesi në dëm të interesit publik.
Ndërkohë, SPAK vijon hetimet lidhur me çështjen ku është përfshirë Ron Yeffet. Pretendimet e opozitës dhe akuzat politike ndaj kryeministrit mbeten pjesë e debatit publik, ndërsa përgjegjësitë konkrete penale dhe ligjore janë objekt i hetimeve dhe procedurave përkatëse.
Pamjet nga përballja në ish-Uzinë pritet të shtojnë edhe më tej debatin politik rreth çështjes “KAYO”, veçanërisht përballë hetimeve të SPAK dhe akuzave të opozitës për përdorimin e fondeve dhe pasurive publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



