E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga “Richard Mille” te çanta me euro, çfarë iu gjetën Agasit dhe Shpatarakut
Lajme

Nga “Richard Mille” te çanta me euro, çfarë iu gjetën Agasit dhe Shpatarakut

Detaje të reja dalin nga dosja hetimore për momentin e arrestimit të Ergys Agasit, i cili u ndalua nga policia teksa ndodhej në një automjet që drejtohej nga ish-efektivi i Policisë, Uljan Shpataraku.

Sipas të dhënave të dosjes, gjatë kontrollit ndaj Agasit janë sekuestruar një orë e markës “Richard Mille”, katër telefona “iPhone”, karta bankare dhe një çantë që përmbante një shumë të konsiderueshme parash në euro.

Vlera e orës “Richard Mille” është bërë gjithashtu pjesë e vëmendjes, pasi modele të kësaj marke, në varësi të serisë dhe specifikimeve, mund të arrijnë çmime shumë të larta në tregun ndërkombëtar, deri në qindra mijëra euro.

Në çantën e Agasit, sipas materialeve të dosjes, janë gjetur kartëmonedha me prerje 200, 50 dhe 20 euro. Po ashtu, gjatë kontrollit janë konstatuar disa karta bankare të institucioneve financiare shqiptare dhe të huaja, si dhe leja e drejtimit.

Kontrolli i automjetit ka nxjerrë në pah edhe sende të tjera, mes tyre çelësa metalikë, një kontratë për marrjen me qira të automjetit dhe dokumente të tjera.

Çfarë iu gjet Uljan Shpatarakut

Ndryshe paraqitet situata sa i përket sendeve të sekuestruara ndaj Uljan Shpatarakut.

Sipas dosjes, atij iu gjetën 400 euro, 4,200 lekë, një portofol “Alviero Martini” dhe një çantë “Hermes”. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së tij, autoritetet nuk kanë konstatuar sende të kundërligjshme, sipas materialeve të hetimit.

Pikërisht lidhja mes dy personave në momentin e ndalimit është një prej elementeve që merr rëndësi në dosjen hetimore.

Shpataraku: Nuk e njihja Agasin, më bëri autostop

Edhe pse Ergys Agasi u gjet në automjetin që drejtohej nga Shpataraku, ish-efektivi ka mohuar para hetuesve se e njihte biznesmenin.

Në dëshminë e tij, Shpataraku ka deklaruar se kishte shkuar në Durrës për shkak të gjendjes shëndetësore të djalit të tij. Sipas versionit të tij, mëngjesin e 26 korrikut ai ishte nisur drejt Elbasanit, ku kishte takuar dy miq, dhe më pas ishte kthyer drejt Durrësit.

Gjatë kthimit, sipas dëshmisë, një person i ka bërë shenjë për të ndaluar dhe ai e ka marrë në automjet. Shpataraku ka pretenduar se nuk e dinte se bëhej fjalë për Ergys Agasin, pasi personi i ishte prezantuar me emrin “Berti” dhe i kishte thënë se merrej me dyer alumini.

Në dosje, dëshmia e tij paraqitet kështu:

“Rreth orës 01:00 të natës, për shkak se djali im kishte temperaturë të lartë dhe ndodhej në Durrës, te vjehrri im, në zonën e Kënetës, mora bashkëshorten dhe shkova te vjehrri. Të nesërmen u zgjova, mora makinën dhe i thashë vjehrrit se do të shkoja në Elbasan. Shkova në Elbasan, takova dy miq të mi, piva kafe dhe më pas u ktheva nga Elbasani. Gjatë kthimit nëpërmjet rrugës së vjetër të Elbasanit, një person më bëri shenjë dhe unë e mora në makinë.”

Shpataraku ka vijuar duke deklaruar se gjatë udhëtimit personi i kishte thënë se quhej “Berti” dhe se merrej me dyer alumini, duke pretenduar se në atë moment nuk e kishte kuptuar se bëhej fjalë për Agasin.

“Si mund ta njihja Agasin?”

I pyetur nga hetuesit se si ishte e mundur që një ish-efektiv policie të mos e kishte njohur Agasin, Shpataraku ka dhënë këtë shpjegim:

“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim kur z. Agasi ishte kur hipi në makinën time me mjekër, me kapele, me shapka.”

Ky është versioni i dhënë prej Shpatarakut gjatë marrjes në pyetje dhe mbetet pjesë e materialeve të dosjes.

Lëvizjet e automjetit, çfarë evidentoi policia

Kronologjia e lëvizjeve të automjetit paraqitet ndryshe në materialet e vëzhgimit të policisë.

Sipas dosjes, në orën 11:59, automjeti tip “Audi A6”, që drejtohej nga Uljan Shpataraku, është konstatuar duke hyrë në kompleksin e vilave në Durrës, ku autoritetet kishin lokalizuar Ergys Agasin.

Vetëm tre minuta më vonë, në orën 12:02, automjeti është parë duke dalë nga parkimi nëntokësor. Sipas të dhënave të vëzhgimit, në sediljen e parë të pasagjerit ndodhej Ergys Agasi.

Pas daljes nga kompleksi, automjeti është mbajtur nën vëzhgim nga policia në drejtim të Elbasanit. Më pas, gjatë kthimit, ai është ndaluar në zonën e Plepave.

Këto të dhëna janë pjesë e materialeve të hetimit, ndërsa versioni i Shpatarakut për mënyrën se si Agasi përfundoi në automjet është një prej elementeve që do të vlerësohen nga organet proceduese në vijim të çështjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.