E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u kap “mat” Ergys Agasi nga droni në 11 orët e fundit të lirisë
Lajme

Si u kap “mat” Ergys Agasi nga droni në 11 orët e fundit të lirisë

Lëvizjet e fundit nga vila e Visit të Pojës, te 5 orët pranë Tregut Agroushqimor të Suel Çelës

Detaje nga operacioni që çoi në pranga Ergys Agasin dhe Uljan Shpatarakun: automjeti u mbajt nën vëzhgim nga ajri që prej daljes nga kompleksi i vilave në Shkozet deri te ndalimi në zonën e Plepave.

Ditën kur iu dha fund arratisjes së Ergys Agasit, lëvizjet e tij u ndoqën në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e policisë. Pjesë e rëndësishme e operacionit ishte edhe vëzhgimi nga ajri me dron, përmes të cilit u dokumentuan momentet kur Agasi doli nga kompleksi i vilave në Shkozet, hipi në një automjet dhe u largua në drejtim të Elbasanit.

Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim dhe dyshohet nga SPAK për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI-t, u arrestua më 26 gusht së bashku me Uljan Shpatarakun. Të dy u kapën në të njëjtin automjet, në zonën e Plepave, gjatë kthimit nga Elbasani.

Sipas të dhënave të vëzhgimit, gjurmimi nisi që në orët e para të mëngjesit. Agasi ndodhej në një kompleks vilash në Shkozet, të njohur si vilat e Visit të Pojës, ndërsa më pas u largua me një Audi A6 me targa të padokumentuara në materialin e publikuar.

Nga vila në Shkozet drejt Elbasanit

Në orën 08:00, strukturat e policisë kishin ngritur pika kontrolli dhe kishin aktivizuar vëzhgimin ajror. Informacioni operacional ishte se Agasi ndodhej në kompleksin e vilave në Shkozet.

Rreth orës 11:39, nga pamjet e siguruara përmes dronit, Agasi u pa duke dalë nga kati i dytë i kompleksit. Ai ishte i veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza treçerekëshe. Fillimisht zbriti drejt katit të parë dhe më pas hyri në ambientet e brendshme të kompleksit.

Vetëm 20 minuta më vonë, në orën 11:59, një Audi A6 i zi me portobagazh u pa duke hyrë në kompleks. Automjeti kaloi portën kryesore dhe u drejtua drejt parkimit nëntokësor. Për shkak të xhamave të errët, në këtë moment nuk ishte e mundur të përcaktohej se kush ndodhej brenda.

Tre minuta më pas, në orën 12:02, i njëjti automjet doli nga parkimi nëntokësor. Në sediljen e përparme, pranë drejtuesit, u dallua një person që dyshohej të ishte Ergys Agasi.

Në orën 12:03 nisi ndjekja e automjetit nga ajri.

Audi u largua nga kompleksi i vilave, kaloi në drejtim të Nishtullës dhe rrethrrotullimit të Shkozetit, duke vijuar më pas drejt Plepave. Automjeti kaloi pranë zonës së shinave të trenit dhe doli në rrugën e Plazhit në Durrës.

Nga aty, itinerari vijoi drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit dhe më pas Elbasanit.

13:35 – Audi mbërrin pranë tregut agroushqimor në Elbasan

Në orën 13:35, rreth një orë e gjysmë pas largimit nga kompleksi i vilave, automjeti nuk hyri në qendrën e Elbasanit.

Audi kaloi rrethrrotullimin e Bradasheshit dhe vijoi drejt zonës së tregut agroushqimor. Më pas u kthye djathtas dhe hyri në ambientet e tregut.

Sipas materialit të vëzhgimit, bëhet fjalë për tregun agroushqimor që lidhet me familjen e Suel Çelës.

Në këtë pikë, droni nuk vijoi më ndjekjen e drejtpërdrejtë të automjetit. Ndërkohë, grupet e vëzhgimit dhe automjetet e policisë u pozicionuan në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit.

Automjeti qëndroi në zonë për disa orë.

18:16 – Nisja nga Elbasani dhe kthimi drejt Durrësit

Në orën 18:16, Audi A6 u largua nga zona e tregut agroushqimor, duke dalë në rrugën “Kadri Hoxha”. Automjeti mori të njëjtin itinerar në drejtim të kundërt, këtë herë nga Elbasani drejt Durrësit.

Pasi mbërriti në zonën e Plepave, ndërhyjnë shërbimet e policisë të koordinuara me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Automjeti u ndalua dhe në sediljen e përparme u gjet Ergys Agasi. Në drejtimin e mjetit ndodhej Uljan Shpataraku.

Të dy u arrestuan.

Shpjegimi i Uljan Shpatarakut dhe versioni që përplaset me vëzhgimin

Pas arrestimit, Uljan Shpataraku ka dhënë një version të ndryshëm nga ai që rezulton në materialet e vëzhgimit policor.

Shpataraku ka pretenduar se nuk e njihte Ergys Agasin dhe se e kishte marrë në makinë rastësisht. Sipas tij, personi që i kishte bërë shenjë në rrugë ishte prezantuar me emrin “Berti” dhe i kishte thënë se merrej me dyer alumini.

Ai ka deklaruar gjithashtu se kishte shkuar në Durrës për shkak të djalit të tij të sëmurë dhe se më pas ishte nisur drejt Elbasanit për të takuar dy miq.

Një tjetër element i dëshmisë së tij lidhet me automjetin. Shpataraku ka pretenduar se Audi A6 nuk ishte makina e tij, por ia kishte marrë hua një personi që e njihte me emrin “Tomi”. Sipas tij, automjeti i tij kishte probleme teknike dhe nxehej gjatë lëvizjes.

Por ky version përplaset me të dhënat e vëzhgimit. Sipas materialit policor, Audi u pa duke hyrë në kompleksin e vilave në orën 11:59 dhe vetëm tre minuta më vonë doli prej tij, me Agasin në sediljen e parë të pasagjerit.

Pesë orë në zonën e tregut

Një tjetër pikë e debatueshme është koha e qëndrimit në Elbasan.

Shpataraku ka pretenduar se qëndrimi në qytet ka qenë rreth dy orë dhe se vizita lidhej me takimin me dy miq dhe konsumimin e një kafeje.

Por të dhënat e vëzhgimit e vendosin automjetin në zonën e tregut agroushqimor nga ora 13:35 deri në orën 18:16. Pra, bëhet fjalë për rreth 4 orë e 41 minuta.

Shpataraku ka argumentuar se fakti që kishte shkuar në zonën e tregut nuk nënkuptonte ndonjë lidhje kriminale dhe se kishte përdorur rrugën e vjetër të Elbasanit për të shmangur trafikun.

Megjithatë, qëndrimi i gjatë në atë zonë dhe itinerari i dokumentuar nga policia janë pjesë e materialeve të përdorura për të rindërtuar lëvizjet e Agasit para arrestimit.

Çfarë iu gjet Ergys Agasit në momentin e arrestimit?

Kontrolli pas arrestimit solli edhe sekuestrimin e disa sendeve që ndodheshin me Agasin.

Sipas materialeve të dosjes, atij iu gjet një orë e markës “Richard Mille”, katër telefona iPhone, karta bankare, dokumente dhe një shumë parash në euro. Në çantën e tij kishte kartëmonedha të prerjeve 200, 50 dhe 20 euro.

Gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu çelësa metalikë, një kontratë për marrjen me qira të një automjeti dhe dokumente të tjera.

Në posedim të Uljan Shpatarakut u gjetën 400 euro, 4 200 lekë, një portofol “Alviero Martini” dhe një çantë “Hermes”. Në kontrollin e banesës së tij, sipas materialeve të bëra publike, nuk u konstatuan sende të kundërligjshme.

Nga vëzhgimi te prangat

Kronologjia e këtyre orëve tregon se policia kishte ndërtuar një skemë të vazhdueshme monitorimi të lëvizjeve të Agasit. Droni fiksoi daljen e tij nga kompleksi i vilave në Shkozet, automjetin që e mori dhe itinerarin fillestar drejt Elbasanit.

Më pas, strukturat e vëzhgimit u pozicionuan në terren, ndërsa automjeti u mbajt nën kontroll deri në kthimin e tij drejt Durrësit.

Në fund, ndalimi në zonën e Plepave i dha fund rreth 11 orëve të fundit të lirisë së Ergys Agasit, duke e kaluar atë nga një person në kërkim në pranga të policisë.

Materialet e vëzhgimit, veçanërisht pamjet e regjistruara nga droni dhe lëvizjet e automjetit, përbëjnë një nga elementët kryesorë të rindërtimit të itinerarit të tij para arrestimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.